Vrasja e dy zyrtarëve të partisë, PDK-ja pezullon të gjitha aktivitetet për sot

  • E.K /
  • 09 September 2021 - 10:26
 Vrasja e dy zyrtarëve të partisë, PDK-ja pezullon të gjitha aktivitetet për sot

Partia Demokratike e Kosovës pas vrasjes së dy zyrtarëve të këtij subjekti ka bërë të ditur se do t’i pezullojnë për sot të gjitha aktivitetet politike.

Nga PDK-ja, thonë se ky rast i ka tronditur rëndë të gjithë e se në shenjë nderimi për ta kanë marrë vendim për pezullimin e aktiviteteve.

“Ndarja e papritur dhe tragjike nga jeta e Astrit Ademajt dhe Blerand Kadrijajt na ka tronditur rëndë të gjithëve. Në shenjë nderimi dhe respekti për ta, Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur që sot të pezullojë të gjitha aktivitetet e saj politike anembanë vendit”, thonë nga PDK-ja.

Dy persona që kanë mbetur të vdekur gjatë mbrëmjes së djeshme në Komunën e Pejës janë kandidati për kryetar të kësaj komune nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj dhe ish-kandidati i PDK-së për Deçanin, Blerand Kadriaj.

Ngjarja ka ndodhur afër shkollës Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë. Burime të medias zbulojnë prapaskenat e rastit.

Dy viktimat dyshohet se kanë qenë në një lokal dhe për një moment kanë sulmuar njëri tjetrin. Dyshohet se Ademaj e Kadriaj kanë shkrepur me armë ndaj njëri tjetrit me ç’rast kanë mbetur të vrarë.

I plagosur nga shkrepja e armëve ka mbetur vëllai i Astrit Ademajt, Avni Ademaj.

(Kosova Sot Online)