Andin Hoti shkon në zyrat e Veteranëve pas debatit rreth arkivave për UÇK’në

  • E.K /
  • 10 September 2021 - 14:41
 Andin Hoti shkon në zyrat e Veteranëve pas debatit rreth arkivave për UÇK’në

Kryetari i Delegacionit për bisedime për çështjen e personave të humbur në dialogun Kosovë-Serbi ka vizituar OVL-UÇK-në pas debatit të fundit lidhur me hapjen e arkivave për UÇK-në.

Hoti ka postuar një fotografi në Facebook ku ka shkruar se UÇK është themeli i palëkundur i Republikës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është themeli i palëkundur i Republikës tonë. Jashtëzakonisht i nderuar nga pritja dhe bashkëbisedimi motivues me përfaqësuesit e OVL të UÇK-së! Zemrat tona rrahin vetëm UÇK”, ka shkruar ai.

Një deklaratë e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi lidhur me arkivat për UÇK-në ka ngjallur reagime të skenës politike.

Besnik Bislimi dje tha se pala serbe është dakorduar që të hapen arkivat shtetërore gjatë takimeve që ka pasur në Bruksel dy ditë më parë.

“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat, sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interes tonë sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, tha ai.

(Kosova Sot Online)