Rama tregon a do të ndërtohet lagja te Liqeni i Badovcit që kishte ngjallur reagime

  • A.P /
  • 10 September 2021 - 18:37
Rama tregon a do të ndërtohet lagja te Liqeni i Badovcit që kishte ngjallur reagime

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është pyetur rreth projektit të ndërtimit të shtëpive në afërsi të liqenit të Badovcit, që ishte kundërshtuar nga qytetarët.

Rama ka deklaruar se klienti i tij e ka fituar rastin, por projekti është ndërprerë për shkak të protestës publike.

“Është ndalë prej protestës publike, klienti im e ka fituar rastin, ndalesa s’ka qenë e ligjshme. Klienti më ka thirrur më ka thënë a po e vazhdojmë se e kam fituar, i kam thënë jo, është një mendim publik i opinionit që është kundër kësaj dhe po e lëmë, i kam thënë mund ta vazhdosh diku tjetër. Sepse opinioni publik është zhvilluar në atë nivel. …këtë kam qenë kundër opinionit publik, në mbrojtje të Ligjit, në mbrojtje të vlerave, në mbrojtje të klientit sepse e kam ditur se aty s’ka pasur asgjë të jashtëligjshme. Ajo ka qenë si pjesë e presionit publik që në atë kohë në koalicion ashtu kanë vendosur, ashtu e kanë bërë, por nuk ka qenë asgjë e kundërligjshme”, ka deklaruar Rama.

Rama është pyetur edhe rreth deklaratave të kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinajt, se projekti te Liqeni i Badovcit do të jetë rast i patejkalueshëm për Ramën.

“Secili person e ka mendimin e vet, por ne gjithmonë duhet t’i shohim faktet, pasiqë ligji e ka lejuar, unë kam luftuar me klientin tim, sepse Ligji e ka lejuar deri në katër kat, unë kam thënë që duhet të zbresim në përdhese me një dhe ta ndalim degradimin e liqenit në aspektin e biodiversitetit, e kemi sjellë zhvillimin e një standardi më të lartë që ekziston në Britani, për ta bërë pjesë të zhvillimit pikërisht për mbrojtjen e liqenit dhe natyrës”, ka deklaruar Rama.

Ndërkaq i pyetur nëse projekti i ndërtimit të shtëpive te Liqeni i Badovcit do të vazhdojë, Rama deklaroi se ky është projekt që i përket të kaluarës.

“Jo unë nuk e kam ndërmend me e kthy, ajo është histori, kemi projekte dhe punë të shumta të cilat i duhen qytetarit të Prishtinës, të kaluarat janë të kaluara, ne vazhdojmë me gjërat që iu duhen qytetarëve të Prishtinës, si aspekti i trafikut, parkingjeve, shkollave, sigurisë nga qentë endacakë, kemi një numër të madh të projekteve për ta dnërruar për të mirë jetën e qytetarëve të Prishtinës”, ka deklaruar Rama.

Ndryshe, projekti ndërtimor te Liqeni i Badovcit, ku ishte planifikuar të ndërtohej një lagje banimi, kishte ngjallur reagime të shumta në vend.

(Kosova Sot Online)