Rasti tragjik në Pejë, çka deklaroi Avni Ademaj dhe cila është gjendja e tij shëndetësore? Flet avokati Kollçaku

  • G.G /
  • 11 September 2021 - 15:44
Rasti tragjik në Pejë, çka deklaroi Avni Ademaj dhe cila është gjendja e tij shëndetësore? Flet avokati Kollçaku

Avokati mbrojtës i Avni Ademajt, Gëzim Kollçaku ka bërë të ditura detaje nga deklarata e të mbrojturit të tij dhënë para prokurorit në lidhje me vrasjen tragjike në Pejë, ku të vdekur mbetën dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj.

Kollçaku ka thënë se Avni Ademaj, ka dhënë të njëjtën deklaratë që nga fillimi, duke thënë se ka dal në vendin e ngjarjes pasi ka dëgjuar zhurmë.

“Ngjarja ka ndodhur para lokalit të të mbrojturit tim. Ai e ka shtëpinë ngjit me lokalin edhe në momentin që ka dëgjuar krisma e zhurmë, kur ka ardhur në vend të ngjarjes është plagosur. Kjo është deklarata e tij dhe kështu është deklaruar nga fillimi”, tha Kollçaku për Telegrafin.

Sipas avokatit, gjendja shëndetësore e Ademajt nuk është e mirë, pasi ai ende është duke u trajtuar në Spitalin e Pejës.

“Gjendja shëndetësore e tij nuk është e mirë për momentin, ende është duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Pejë”, theksoi ai.

Tutje Kollçaku tha se, “zyrtarët e kanë sjell në Gjykim nga spitali dhe nga Gjykata prapë e dërguan në trajtim”.

“Ai është i plagosur në dorën e djathtë, është plagë prej armës së zjarrit hyrëse dhe dalëse”, tha Kollçaku.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Avni Ademaj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata ka dhënë në detaje ecurinë e ngjarjes tragjike në Pejë, ku të vdekur mbetën dy zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadrijaj.

“Më datë 08.09.2020, rreth orës 20:15 në Pejë, i pandehuri A.A me dashje e privon nga jeta tashmë te ndjerin B.K, ne atë mënyre që pasi viktima B.K së bashku me dëshmitarin L.L kishin shkuar tek një lokal për tu takuar me viktimën A.A ku aty prezentë kanë qenë edhe i pandehuri A”, thuhet në komunikatë.

Tutje, në komunikatë thuhet se “gjatë bisedës në mes të dy viktimave fillon të acarohet situata dhe që të dy viktimat përnjëherë i nxjerrin armët dhe për një moment gjersa viktimat po fjaloseshin i pandehuri A ia merr armën viktimës A dhe me të njëjtën fillon të gjuaj në drejtim të ndjerit B, e i cili po ashtu në të njëjtën kohë shtënë edhe ky në drejtim të viktimës A dhe të pandehurit A, ku si pasojë e goditjeve të marra nga arma e zjarrit të të pandehurit A është privuar nga jeta viktima B, kurse viktima A ka mbetur i vdekur nga plagët e marra nga arma e zjarrit të viktimës B, e po ashtu edhe i pandehuri A ka marr lëndime ne shuplakën e dorës së majtë”.

“Me këto veprime i pandehuri A.A kishte për të kryer veprën penale vrasje nga neni 172 të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprat penale për ta cilat dyshohet.

(Kosova Sot Online)