Vdekja e 28-vjeçarit, nisin hetimet për administratorin dhe përgjegjësin e mirëmbajtjes së hotelit

  • E.K /
  • 12 September 2021 - 11:42
Vdekja e 28-vjeçarit, nisin hetimet për administratorin dhe përgjegjësin e mirëmbajtjes së hotelit

Dy ditë pas ngjarjes tragjike në një hotel në kryeqytet ku ndërroi jetë Ajdin Mustafi 28-vjeç, policia ka nisur hetimet për administratorin e këtij objekti dhe përgjegjësin e mirëmbajtjes. Pasditen e 10 shtatorit, Mustafi ra nga kati i 5-të, pasi në momentin kur po qëndronte i mbështetur në hekurat e ballkonit në hotel, ato janë këputur.

Trupi i të riut u gjet në dysheme së bashku më zgarën mbrojtëse të ballkonit. 28-vjeçari u dërgua më urgjencë në spital, por nuk ka mundur që t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.

Tashmë në lidhje me këtë ngjarje të rëndë po hetohen R. H,, 38 vjeç, me detyrë përgjegjës i mirëmbajtjes dhe R. S., 49 vjeç, me detyrë administrator i hotelit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

“Në vijim të dokumentimit të plotë të ngjarjes së ndodhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ku aksidentalisht ra nga lartësia e hotelit ku qëndronte dhe për pasojë ndërroi jetë shtetasi A.M, 28 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1, referuan materialet për shtetasin R. H,, 38 vjeç, me detyrë përgjegjës i mirëmbajtjes dhe shtetasin R. S., 49 vjeç, me detyrë administrator i hotelit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, njofton policia.

(Kosova Sot Online)