Shkurtimi i fushatës në vullnet të partive, kreu i KQZ-së thotë se sipas ligjit zgjat 30 ditë

  • E.K /
  • 14 September 2021 - 15:26
 Shkurtimi i fushatës në vullnet të partive, kreu i KQZ-së thotë se sipas ligjit zgjat 30 ditë

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se fushata elektorale për zgjedhjet e 17 tetorit, do të fillojë zyrtarisht më 16 shtator dhe do të zgjasë 30 ditë, sipas Ligjit.

Radoniqi në mbledhjen e sotme të KQZ-së tha se korniza e fushatës zgjedhore që është e caktuar me Ligj, nuk mund të ndryshohet përkundër rrethanave në të cilat gjendet vendi si pasojë e COVID-19.

“E shoh të nevojshme që t’iu adresohem subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, pasi që nga data 16 shtator fillon zyrtarisht fushata zgjedhore. Siç edhe dje e thashë në mbledhje, korniza e fushatës zgjedhore nuk mund të ndryshohet përkundër rrethanave që janë krijuar. Andaj duke pasur parasysh këtë fakt, shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjitha subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre, që gjatë kësaj periudhe në mënyrë strikte t’iu përmbahen Ligjit dhe rregullave të KQZ-së”, ka deklaruar Radoniqi.

Ndryshe, krerët e partive politike në vend janë takuar të hënën me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, për t’u konsultuar rreth shtyrjes apo jo të datës së zgjedhjeve të 17 tetorit.

Partitë politike nuk u pajtuan me këtë, por propozuan që fushata zgjedhore të shkurtohet nga 30 në 5 ditë.

(Kosova Sot Online)