Në ditën kur nis fushata zgjedhore, IKSHPK’ja del me një apel për qytetarët

  • G.G /
  • 16 shtator 2021 - 08:07
Në ditën kur nis fushata zgjedhore, IKSHPK’ja del me një apel për qytetarët

Në ditën kur zyrtarisht nis fushata parazgjedhore 30 ditore për zgjedhjet e 17 tetori, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka dalë me një apel për qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private.

Instituti ka bërë thirrje për ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimeve publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim.

“Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës sipas rekomandimeve të IKSHPK”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar qytetarë!

Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës.

IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19 dhe vdekshmërisë së lartë,  në veçanti, bëjmë thirrje për ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimeve publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim.

Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës sipas rekomandimeve të IKSHPK.

Qytetarë të nderuar!

Ju lutemi për kujdes të shtuar!

Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:

Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!

Mbani higjienën!

Respektoni distancën!

VAKSINOHUNI!

(Kosova Sot Online)