Mjekët në QKUK kryejnë me sukses një operacion në zemër të hapur te një 61-vjeçar

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 08:46
Mjekët në QKUK kryejnë me sukses një operacion në zemër të hapur te një 61-vjeçar

Në Klinikën e Kardiokirurgjisë është kryer me sukses një operacion në zemër të hapur të pacientit.

Lajmin e ka bërë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës, derisa është theksuar se pacienti është i moshës 61-vjeçare.

ShSKUK ka njoftuar se 61-vjeçari ka pasur infarkt të miokardit dhe kishte dy stenta në arteriet e zemrës. Po ashtu, ai ka pasur edhe sëmundje tjera.

“Si pasojë e infaktit të miokardit, kishte një komplikim: rupturë e pëmbajtur, (çarje) e ventrikulit të majtë me pseudoaneurizmë të pjesës apikolaterale të ventrikulit të majtë. Pacienti është marrë në sallë të operacionit me urgjencë dhe është operuar me sukses nga ekipi i përbërë prej kardiokirurgëve, anesteziologëve dhe personelit mbështetës. Ruptura e ventrikulit të majtë ndodh më pak se 1%, pas infarktit të miokardit, por që ka vdekshmëri ekstremisht të lartë, veçanërisht kur nuk operohet. Ajo zhvillohet në terren të infarktit, të shoqëruar me arterial hypertension apo përdorim të kortikosteroideve. Ruptura e ventrikulit të majtë rezulton tamponade kardiake, shok kardiogjen dhe vdekje. Kur shoqërohet me aneurizmë ose pseudoaneurizmë, perveç ruptures, janë të shpeshta edhe fenomenet e trombembolizmit e aritmive”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)