Frikë nga Kina: Pas Japonisë, edhe Tajvani planifikon miliarda shtesë për ushtri

  • G.G /
  • 16 September 2021 - 12:57
Frikë nga Kina: Pas Japonisë, edhe Tajvani planifikon miliarda shtesë për ushtri

Tajvani propozoi të enjten rreth 8.7 miliardë dollarë shtesë për shpenzime ushtarake për pesë vitet e ardhshme. Në këtë shumë parashihet edhe blerja e raketave të reja, duke theksuar se ka nevojë urgjente për modernizim të armatimit për shkak të kërcënimit nga Kina.

Presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, i ka bërë prioritet modernizimin e ushtrisë dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, sidomos në kohën kur Pekini po e shton trysninë ushtarake dhe diplomatike kundër ishullit që e cilëson “territor të shenjtë kinez”.

Shuma shtesë duhet të miratohet nga kuvendi, ku partia në pushtet, Tsai, ka shumicë të madhe, duke lënë të nënkuptohet se miratimi nuk do të haste në vështirësi, shkruan Reuters.

“Komunistët kinezë kanë vazhduar të investojnë shumë në buxhetet e mbrojtjes kombëtare, fuqia e tyre ushtarake është rritur shpejt dhe shpesh kanë dërguar aeroplanë e anje për t’i shkelur ujërat dhe hapësirën tonë ajrore”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes së Tajvanit.

“Përballë kërcënimeve të ashpra nga armiku, ushtria e kombit është aktivisht e angazhuar në zhvillimin ushtarak dhe punën përgatitore dhe është urgjente që të sigurohet prodhim masiv e i shpejtë i armëve dhe pajisjeve për një periudhë të shkurtër”, thuhet më tej në deklaratë.

Ndryshe, në fund të muajit gusht, edhe Ministria e Mbrojtjes e Japonisë kërkoi buxhet rekord, pasi Kina është identifikuar si kërcënimi kryesor për sigurinë kombëtare që nga viti i kaluar. Në propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Japonisë parashihen 130 miliardë jenë për blerjen e 12 aeroplanë luftarakë të tipit F-35.

(Kosova Sot Online)