Ish-kryeministrja britanike pyet nëse pakti me ShBA-në mund të sjellë luftë me Kinën

  • G.g /
  • 16 September 2021 - 15:16
Ish-kryeministrja britanike pyet nëse pakti me ShBA-në mund të sjellë luftë me Kinën

Kryeministri britanik, Boris Johnson, është sfiduar nga paraardhësja Theresa May duke u pyetur nëse pakti me Shtetet e Bashkuara dhe Australinë do të mund ta çonte Mbretërinë e Bashkuar drejt luftës me Kinën shkaku i Tajvanit.

Ndërhyrja e saj erdhi gjatë një debati në Dhomën e Ulët rreth marrëveshjes trepalëshe, sipas së cilës Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe do të ndajnë teknologji të ndjeshme me Australinë për t’ia mundësuar për herë të parë zhvillimin e nëndetëseve me energji bërthamore.

Ish-kryeministrja britanike e pyeti shefin e tanishëm të qeverisë: “Cilat janë implikimet e këtij pakti për qëndrimin që do të merrej nga Mbretëria e Bashkuar në reagimin e saj, nëse Kina do të tentonte ta pushtonte Tajvanin?”

Në përgjigje, Johnson ishte i kujdesshëm që të mos përjashtonte asgjë. “Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për ta mbrojtur ligjin ndërkombëtar dhe kjo është këshilla e fuqishme që do t’ua jepnim miqve tanë në mbarë botën dhe këshilla e fuqishme që do t’ia jepnim qeverinë në Pekin”, tha ai.

Kina reagoi kundër marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Australisë. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Zhao Lijian, tha se ky pakt e vë në pikëpyetje zotimin e Australisë për të mos u pasuruar me armë bërthamore, shkruan The Guardian.

Sidoqoftë, kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se marrëveshja nuk është kundër fuqisë aziatike, pasi u pyet për një gjë të tillë nga shefi i opozitës britanike, Sir Keir Starmer.

Ndryshe, Australia do të bëhet vetëm shteti i shtatë në botë që do të ketë nëndetëse që funksionojnë me energji bërthamore dhe shteti i parë që ka mjete të tilla pa pasur energji bërthamore apo program të armëve.

(Kosova Sot Online)