Protesta në kufirin Kosovë – Serbi, situata po monitorohet edhe me helikopter

  • G.G /
  • 20 September 2021 - 11:56
Protesta në kufirin Kosovë – Serbi, situata po monitorohet edhe me helikopter

Në hapësirën ajrore përmbi pikën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Jarinje është parë një helikopter i cili duket se po patrullon në atë zonë ku disa serbë kanë lënë automjetet e tyre në rrugë duke protestuar. Me ta është bashkuar edhe ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq.

Kolona e automjeteve të ndaluara ka kaluar kilometrin, ndërsa Policia e Kosovës nuk po e lejon asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.

Vendimi për këtë është nënshkruar sot, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq një pjesë e veturave që po hyjnë nga Serbia në Kosovë nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.

Mëngjesin e sotëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosvës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje. Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës kanë shkuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës.

(Kosova Sot Online)