Gjykimi në Hagë, dëshmitari thotë se nuk e ka njohur të akuzuarin por e di që është ai i cili e ka rrahur

  • G.G /
  • 22 shtator 2021 - 13:53
Gjykimi në Hagë, dëshmitari thotë se nuk e ka njohur të akuzuarin por e di që është ai i cili e ka rrahur

Gjykimi i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa po vazhdon në Dhomat e Specializuara në Hagë ku po dëgjohet dëshmitari i parë i cili ndër të tjera ka thënë se i akuzuari ka qenë ai i cili e ka mbajtur dhe rrahur por që nuk e ka parë asnjëherë atë.

Dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës, i cili po dëshmon nën masa mbrojtëse të sigurisë duke mos ju zbuluar identiteti për publikun, ka thënë se nuk e ka njohur asnjëherë të akuzuarin por sipas tij, pasi është liruar nga ndalimi i është thënë nga të tjerët se ai ishte përgjegjësi.

Avokati Von Bone: A e di ti nëse ky personi që po akuzohet këtu në gjyq ka qenë një prej atyre që po të rrihnin?

Dëshmitari: Nuk e di valla, nuk po të kuptoj.

Avokati Von Bone: Këtu në këtë çështje po gjykohet një person, një i akuzuar, ai person është klienti im dhe unë po të pyes ty nëse ti e di që klienti im, i akuzuari ka qenë një prej atyre personave që po të rrihnin ty atë natë?

Dëshmitari: Shumë e qartë që po.

Avokati Von Bone: Po nga e di ti këtë që po thua?

Dëshmitari: E di se më vonë, që kryesori ka qenë ai personi, do të thotë kurrë më në jetë nuk e kam parë por ndoshta kur i kanë dhez do bateri aty nganjëherë e kam parë si person por nuk më kujtohet se është ka qenë terr, e kush, logjikisht tjetër kush nuk ka mundur me më rrah vetëm ai, ai është kryesori aty, çka ka thënë ai është bërë aty.

Avokati Von Bone: Prapë po të pyes, nga e di ti se i akuzuari është personi që po të rrihte ty atëherë, dua ta di, më thuaj nga e di ti që ishte ai, ti nuk e njihje më parë atë person, pastaj ma shpjego pak të lutëm, nga e di ti që ishte ai i akuzuari?

Dëshmitari: Zotëri atë personin që po ma përmend që 100 herë, nuk ke nevojë me ma përmend kaq shumë herë, unë kam treguar se atë nuk e kam njohur as nuk e kam ditë kush është as çka është problem me të, më në fund nuk jam budalla e kam ditë kush është, ai zotëria që po e mbron ti është ky, edhe mos më bëjë më këso pyetje se po më duket pak pa lidhje.

Avokati Von Bone: Po të pyes përsëri nga e di ti që ishte i akuzuari ai person, ai që po të rrihte?

Dëshmitari: Më duket që tregova nga e di, tregova.

Avokati Von Bone: Pra a do të përgjigjesh nga e di që ishte i akuzuari?

Dëshmitari: E kam marrë shumë mirë vesh kush ka qenë kryesori në atë vend. U përgjigja njëherë.

Avokati Von Bone: Pra në atë kohë nuk e dije vet, por kur dole më vonë e mësove nga të tjerët, këtë po e thua, dhe nga kush e mësove?

Dëshmitari: Nuk është me rëndësi nga kush, shumë njerëz a pasur e kanë ditë krejt në fund.

Avokati Von Bone: Mendoj që është me rëndësi zoti dëshmitar dhe dua që t’i përgjigjesh edhe kësaj pyetje.

Dëshmitari: Nuk kam ardhur me jep emra të huaj këtu, por kam ardhur për të jap dëshmi jo për askënd.

Këtu avokati Von Bone ka kërkuar të kalohet në seancë private për disa minuta.

Pas kësaj ka reaguar edhe kryetarja e trupit gjykues e cila ka kërkuar nga dëshmitari që të përgjigjet në pyetjet që i bëhen nga avokati mbrojtës, ndërsa nga ky i fundit ka kërkuar që mos të bëjë të njëjtën pyetje.

Avokati ka pyetur dëshmitarin nëse ndonjëherë është takuar me të akuzuarin.

Dëshmitari: Krejt ushtria në Zllashë e ka ditur që i akuzuari është kryesori

“Krejt ushtria që ka qenë në Zllashë e di që ky person ka qenë aty kryesori, jo vetëm një person por e dinë krejt dhe ju e dini më mirë se unë, shumë mirë e dini, unë nuk e kam pru këtë këtu, kush e ka pru nuk e di, as që po më intereson për të, unë po them se unë mundem me u përgjigjë në pyetjet e mija kush më ka rreh, më andej nuk di. Nuk mundem me ditë që më ka taku as që e kam taku, nuk mundem me ditë, në jetë time nuk e kam parë më, as nuk më ka interesuar kurrë për të më hiç”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se për të akuzuarin ka dëgjuar nga të tjerët, pasi është liruar nga Zllashi dhe i njëjti nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjeve të avokatit mbrojtjes duke i thënë se po i bënë vazhdimisht pyetjet e njëjta.

Avokati Von Bone: Ju keni dëgjuar për njerëz të tjerë të cilët ta kanë treguar, nuk do të thuash emrat, nuk ua dimë emrat, nuk e dimë nëse kishin apo jo kontakt me këta, mund të ketë qenë komplet dikush tjetër që ta ka bërë këtë gjë.

Dëshmitari: Jo.

Avokati Von Bone: Pse jo?

Dëshmitari: Nuk e di.

Avokati Von Bone: Pse jo?

Dëshmitari: Zotëri a ke të tjera pyetje, tërë ditën një pyetje po ma bënë, nuk e di pse kështu.

Avokati Von Bone: Dua ti përgjigjesh kësaj pyetje, pse mos të jetë dikush tjetër? Ti nuk the që nuk e di, unë thjesht thash pse nuk mund të jetë dikush tjetër, ti tani thua nuk e di.

Dëshmitari: Harroj, nuk di kurgjë.

Avokatin Von Bone e kanë kundërshtuar prokurori dhe mbrojtësja e viktimave duke thënë se dëshmitarit po i bëhen të njëjta pyetje dhe se një formë e tillë nuk do të nxjerrë asgjë të re.

Por Von Bone ka pasur një sqarim lidhur me këtë.

Von Bone: Dëshmitari duhet të tregojë në çka bazohet kur thotë se i akuzuari ishte kryesi.

“Dëshmitari që ditën e parë i tha prokurorit, e di këtë e di që kështu është, dhe prokurori e mori përgjigjen pa e dyshuar, por si mund ta gjejmë ne të vërtetën për një fakt, nëse është fakt nëse është gjë e vërtetë apo nëse nuk është e vërtetë, pra nëse është besim ashtu beson dëshmitari apo nëse ai mendon se është e vërtetë duke ja thënë dikush tjetër dhe jo se është fakt i vërtetë, kur dikush thotë se është fakt i vërtetë mendoj që është e rëndësishme të vërtetohet si e ka zbuluar këtë fakt dëshmitari, nga e di dëshmitari se kështu është e vërteta, sepse çështjet penale kur hetohen dhe gjykohen krime kështu veprohet dhe jo siç veproi prokurori ‘faleminderit për përgjigjen’ dhe kaq”, ka thënë avokati Von Bone.

Gjatë pjesës së parë të seancës së sotme gjyqësore, avokati mbrojtës ka pyetur dëshmitarin nëse mban mend personat që e kanë ndaluar dhe rrahur por dëshmitari nuk ka arritur të përshkruajë shumë ata veçse ka thënë se njëri nga ta kishte mjekër të gjatë dhe se kishte dëgjuar njëherë një emër por nuk e mban mend cilin.

Dëshmitari nuk ka arritur të jap ndonjë përshkrim as për personin me kapelë të kuqe për të cilin thotë se ishte prezent në ndalimin dhe mbajtjen e tij.

Avokati Von Bone: Ai personi me atë kapelën e kuqe që përmende ti, e di a ishte edhe ai i pranishëm aty ku të rrahën, ku të vunë edhe pistoletën në kokë?

Dëshmitari: Po

Avokati Von Bone: A mund ta përshkruash atë personin, përveç se kishte një kapele të kuqe në kokë, a mund të na thuash diçka tjetër për të.

Dëshmitari: Nuk e di çka me të përshkrua se ka qenë natën… nuk e di.

Seanca gjyqësore në rastin e Salih Mustafës do të vazhdojë sot me dëshmitarin e parë, ndërsa nesër pritet të jetë në sallë dëshmitari i dytë kundër ish-komandant Calit.

Ky është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte dhe kundër njerëzimit, dhe u dërgua në objektin e paraburgimit në Hagë. Në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.

(Kosova Sot Online)