Borrell: Të ulen menjëherë tensionet në veri dhe të respektohen plotësisht obligimet e dala nga dialogu

  • E.K /
  • 22 shtator 2021 - 22:17
Borrell: Të ulen menjëherë tensionet në veri dhe të respektohen plotësisht obligimet e dala nga dialogu

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia të ulin tensionet pas vendosjes së reciprocitetit të targave nga Qeveria e Kosovës të hënën.

Përmes një deklarate për shtyp, zyra e Borrell ka kërkuar shmangjen e çfarëdo lloj provokimi të mundshëm pas ngritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

“Bashkimi Evropian bën thirrje për ulje menjëhershme të tensioneve në veri të Kosovës. Çdo provokim ose veprim i njëanshëm duhet të shmanget pasi që ato do të shkonin direkt kundër interesave të njerëzve në rajon”, thuhet në njoftimin e zyrës së Borrellit.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet të zbatojnë secilin obligim të nxjerrë nga dialogu i Brukselit.

“Ne i bëjmë thirrje lidershipeve në Beograd dhe Prishtinë të marrin pozicione të përgjegjshme dhe të punojnë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja për shmangjen e ndonjë përshkallëzimi të mëtejshëm, për të rivendosur një atmosferë paqësore dhe për të punuar për një zgjidhje të zbatueshme”, thuhet në njoftim.

Tutje theksohet se është në interesin e të gjithëve të kërkohet një rrugë përpara që mundëson lirinë e lëvizjes dhe që përmirëson jetën e përditshme të njerëzve.

“BE -ja dhe Shtetet Anëtare i bëjnë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të respektojnë dhe zbatojnë plotësisht të gjitha obligimet e tyre të dala nga dialogu pa asnjë vonesë të mëtejshme”, ka thënë Borrell.

Ndryshe, deri më tani qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë.

Kurti, ka thënë më 20 shtator se Prishtina zyrtare nuk ka dashur të vendosë masa reciprociteti, por nuk ka pasur zgjidhje tjetër, për shkak të qëndrimeve të Beogradit zyrtar.

Kurti ka thënë në disa raste më herët se do të vendosë masa reciprociteti ndaj Serbisë në të gjitha fushat.

 

(Kosova Sot Online)