Plani i Haradinajt për taksistët në Prishtinë: Do t’u subvencionojmë mësimin e anglishtes

  • A.P /
  • 27 September 2021 - 17:23
Plani i Haradinajt për taksistët në Prishtinë: Do t’u subvencionojmë mësimin e anglishtes

Në kuadër të programit qeverisës, kandidati për kryetar të Prishtinës, Daut Haradinaj, ka bërë edhe një zotim që lidhet me taksistët, që janë të shumtë nëpër kryeqytet.

Duke e pasur parasysh diversitetin kulturor, kombëtar e rrjedhimisht edhe gjuhësor, të njerëzve që vijnë për të punuar dhe për të jetuar, por edhe për ta vizituar Prishtinën nga vende të ndryshme të botës, Haradinaj e ka parë të arsyeshme që taksistët që punojnë në Prishtinë të aftësohen në përdorimin e gjuhës angleze.

Plani i tij është që t’u ndihmojë taksistëve të kryeqytetit për ta mësuar apo përmirësuar aftësinë e tyre në përdorimin e gjuhës angleze, që njihet edhe si gjuha me e përdorur në botë.

Komuna e Prishtinës, me qeverisjen e Daut Haradinajt, do të stimulojë dhe do ta subvencionojë në tërësi mësimin e gjuhës angleze për shoferët e taksive në kryeqytet.

Janë dhjetëra kompani e qindra, e ndoshta mijëra taksistë, që do të përfitonin nga kjo masë e Komunës së Prishtinës në të ardhmen.

Deri tani, Daut Haradinaj ka prezantuar idetë më interesante dhe më kreative për ta ndryshuar Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, që e ka përjetuar një zhvillim të pakontrolluar dhe të pamenaxhuar nga institucionet në vitet e fundit.

Haradinaj synon që zhvillimi në Prishtinë ta ketë incentivën nga qytetarët e talentuar dhe të përkushtuar për komunitetin si dhe nga bizneset e suksesshme, por që gjithçka të kontrollohet dhe të bëhet sipas normave ligjore dhe duke respektuar interesin e banorëve, në mënyrë që të mos krijohet kaosi dhe të mos cenohet hapësira publike.

(Kosova Sot Online)