Rektori Hajrizi propozon krijimin e Hub’it kombëtar të digjitalizimit dhe themelimin e qendrës ndërdisiplinare shqiptare

  • A.P /
  • 27 September 2021 - 20:15
Rektori Hajrizi propozon krijimin e Hub’it kombëtar të digjitalizimit dhe themelimin e qendrës ndërdisiplinare shqiptare

Bashkëpunimi në mes të Kosovës dhe Shqipërisë në secilën fushë shihet si interes nacional për të dyja shtetet, me theks të veçantë bashkëpunimi në fushën e arsimit, shkencës e teknologjisë.

Ky ishte edhe thelbi i takimit midis akademikëve, intelektualëve dhe kontribuesve të arsimit dhe shkencës nga Kosova dhe Shqipëria i cili u zhvillua në kuadër të ceremonisë së organizuar nga kryeministri Rama i cili i ndau dekoratën “Kordoni i Madh me Yll i Medaljes” shkrimtarit Rexhep Qosja.

Në këtë takim ishte i ftuar edhe rektori i UBT-së, prof. dr Edmond Hajrizi, i cili e vlerësoi si të paalternativë thellimin e bashkëpunimit dhe bashkëkordinimin në fushën e arsimit, shkencës, teknologjisë dhe inovacionit midis Tiranës dhe Prishtinës.

“Arsimi dhe shkenca është përbashkuesi ynë, përbashkuesi i dy shteteve tona, i trungut tonë të përbashkët – kombit shqiptar”, ka thënë rektori Hajrizi.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, midis të cilëve edhe kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti, rektori Hajrizi propozoi themelimin e qendrës së studimeve ndërdisiplinare shqiptare si dhe hapjen e Hub-it kombëtar të digjitalizimit, si dy projekte të mëdha që i japin dimension të veçantë raporteve dhe arritjeve mes dy shteteve.

(Kosova Sot Online)