MPB dënon kërcënimet ndaj qytetarëve që janë pajisur me tabela të përkohshme

  • E.K /
  • 29 September 2021 - 15:04
 MPB dënon kërcënimet ndaj qytetarëve që janë pajisur me tabela të përkohshme

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se qytetarët që janë pajisur me tabela të përkohshme janë duke u kërcënuar nga persona të paidentifikuar.

Përmes një komunikate për media MPB ka dënuar këto kërcënime në drejtim të qytetarëve.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka pranuar informacione se qytetarët të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme janë duke u kërcënuar nga persona deri më tani të paidentifikuar. Ministria e Punëve të Brendshme dënon ashpër këto kërcënime në drejtim të qytetarëve të cilët janë pajisur me tabela të përkohshme sipas Vendimit të MPB-së më datë 20 Shtator 2021. Forma të tilla të kërcënimeve ndikojnë drejtpërdrejtë në krijimin e një klime ku qytetarët ndihen të frikësuar të jetojnë dhe të veprojnë në vendin e tyre. Këto kërcënime janë të papranueshme dhe po pengojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, thuhet në komunikatë.

Ministria e Punëve të Brendshme njofton të gjithë qytetarët se kërcënimi është vepër penale dhe këto forma dhe forma tjera të kërcënimeve do të hetohen nga Policia e Kosovës dhe do të merren masa sipas ligjit.

Përkundër kësaj, MPB i fton të gjithë qytetarët që të pajisen me targa të përkohshme dhe të mos bien pre e këtyre linçimeve. Prej vendimit për vendosjen e targave të përkohshme (20 Shtator 2021) deri më sot janë lëshuar 11500 tabela.

(Kosova Sot Online)