Gjenerali i lartë amerikan e quan tërheqjen dhe evakuimin nga Afganistani, një “dështim strategjik”

  • A.P /
  • 29 September 2021 - 20:45
Gjenerali i lartë amerikan e quan tërheqjen dhe evakuimin nga Afganistani, një “dështim strategjik”

Zyrtarë të lartë të ushtrisë amerikane po vazhdojnë sot të japin dëshmi në Kongres mbi tërheqjen dhe evakuimin e ushtrisë amerikane nga Afganistani. Në seancën e djeshme në Senat, gjenerali Mark Milley e cilësoi evakuimin si “një sukses logjistik, por edhe si një dështim strategjik”.

Gjenerali i lartë amerikan të martën e vlerësoi prerazi misionin e evakuimit në Afganistan.

Ishte një sukses logjistik, por një dështim strategjik”.

Ndërsa për përfundimin e luftës në përgjithësi?

Një dështim strategjik. Armiku është në krye të Kabulit. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta përshkruar – kjo është pasojë e gabimeve të akumuluara në 20 vjeteve, jo 20 ditë”.

Gjenerali Milley, së bashku me shefin e Komandës Qendrore, Gjeneral Frank McKenzie, thanë se ata personalisht kishin kërkuar që të mbaheshin minimumi 2.500 trupa në Afganistan.

“Vlerësimi im daton në vjeshtën e 2020-ës dhe mbeti i pandryshuar gjatë gjithë kohës. Ne duhet të mbanim një prani të qëndrueshme prej 2.500 trupash, që mund të shkonte deri në 3.500, për të shkuar më pas drejt një zgjidhjeje të negociuar”, tha general Milley.

“Unë rekomandova që të mbanim 2,500 trupa në Afganistan. Dhe gjithashtu rekomandova më herët në vjeshtën e vitit 2020 që të mbanim 4.500 në atë kohë. Këto janë pikëpamjet e mia personale. Unë gjithashtu kisha mendimin se tërheqja e atyre forcave do të çonte në mënyrë të pashmangshme në kolapsin e forcave ushtarake afgane dhe përfundimisht të qeverisë afgane”, tha gjenerali Frank McKenzie.

Pohimet e gjeneralëve ishin në kontrast me ato të Presidentit Joe Biden, i cili ka thënë se nuk i kujtohej asnjë këshilltar i tij që e kishte nxitur të mbante një forcë të vogël ushtarake amerikane në Afganistan.

Shtëpia e Bardhë të martën mbrojti përsëri vendimin për të larguar të gjitha trupat nga Afganistani.

“Nëse do të kishim mbajtur 2,500 trupa atje, do të kishim rritur numrin e tyre, do të kishim luftuar me talebanët, do të kishim më shumë viktima. Ky ishte një realitet i qartë për të gjithë”, tha zëdhënësja Jen Psaki.

Si republikanët ashtu edhe demokratët kritikuan ashpër administratën që la pas amerikanë dhe aleatë afganë edhe pasi presidenti tha se nuk do ta bënte një gjë të tillë.

Ata gjithashtu bënë pyetje të mprehta mbi të ardhmen e luftës kundër terrorizmit atje.

A është bërë më e vështirë detyra e ushtrisë për të mposhtur kërcënimet terroriste nga Afganistani?, pyeti senatorja republikane Joni Ernst.

(Kosova Sot Online)