Rihapet Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok që u dogj të shtunën

  • G.G /
  • 30 September 2021 - 09:35
Rihapet Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok që u dogj të shtunën

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se është rihapur Qendra për Regjistrimin e Automjeteve në Zubin Potok, të cilës iu vu flaka të shtunën.

Në njoftimin e MPB-së bëhet e ditur se Qendra e Regjistrimit të Automjeteve është rihapur në objektin e stacionit policor në Zubin Potok.

“Pas sulmit në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok në objektin e komunës, Ministria e Punëve të Brendshme sot ka ri-hapur Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në objektin e stacionit policor në Zubin Potok”, thuhet në njoftim.

MPB ka bërë të ditur se puna në këtë qendër do të zhvillohet normalisht dhe është e gatshme nga sot t’iu ofrojë shërbime qytetarëve.

“Ky është një objekt i adaptuar për të ofruar shërbime të menjëhershme qytetarëve që kanë nevojë për të marrë shërbime, deri në funksionalizimin e plotë të objektit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve, i cili u shkatërrua si pasojë e një sulmi kriminal, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës me 20 shtator, për vendosjen e targave të përkohshme. Kjo është një ndërhyrje e shpejtë që kanë bërë zyrtarët e Agjencisë së Regjistrimit të MPB-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, m qëllim që qytetarët e kësaj zone të mos mbesin pa shërbime”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur të shtunën, nga persona ende të panjohur.

Po ashtu, të njëjtën ditë është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

(Kosova Sot Online)