Gjykimi për vrasjen e dyfishtë në Shtapej të Deçanit, sot dilet në vendin e ngjarjes

  • E.K /
  • 04 October 2021 - 10:39
 Gjykimi për vrasjen e dyfishtë në Shtapej të Deçanit, sot dilet në vendin e ngjarjes

Gjykata e Pejës sot pritet të dalë në vendin e ngjarjes në fshatin Shaptej të Deçanit, aty ku ndodhi vrasja e dyfishtë e vëllezërve Burim dhe Rexhep Ramaj në vitin 2016. Për këtë vrasje akuzohen babë e bir, Durim e Sali Lushaj.

Vendimi për daljen në rikonstruksion është marrë nga trupit gjykues i kryesuar nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova.

Për këtë vrasje të dyfishtë, Gjykata Themelore në Pejë më 14 prill 2018 e kishte shpallur fajtor Durim Lushajn dhe ndaj tij kishte shqiptuar dënim unik me 25 viteve burgim për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje. Fajtor ishte shpallur edhe Sali Lushaj, ku ndaj tij ishte shqiptuar dënimi unik me 18 vite burgim për vrasje të rëndë në bashkëkryerje e armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Apelit, më 3 korrik 2018, kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të bazuara dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të procedurës penale dhe vërtetimit jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Pejës, Durim Lushaj akuzohet se kishte vrarë Rexhep Ramajn pasi kishte pasur një mosmarrëveshje paraprake.

Lushaj, sipas aktakuzës, pasi ka vrarë Rexhep Ramajn, bashkë me Sali Lushajn akuzohet edhe për vrasjen me armë zjarri të Burim Ramajt. Sipas aktakuzës, ata me këto veprime kanë vënë në rrezik edhe jetën e të miturit A.R dhe Gani Ramajt e Mustafë Ramajt.

Durim dhe Sali Lushaj akuzohen nga Prokuroria për vrasje të rëndë e armëmbajtje pa leje, për çka parashihet dënimi me burgim jo më pak se 10 vite e deri te burgimi i përjetshëm. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

(Kosova Sot Online)