U dënua me 10 muaj burgim se kanosi me vrasje ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, gjykata thotë se u vërtetua kryerja e veprës penale

  • E.K /
  • 05 October 2021 - 10:59
 U dënua me 10 muaj burgim se kanosi me vrasje ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, gjykata thotë se u vërtetua kryerja e veprës penale

Gjykata Themelore në Prishtinë ka përpiluar aktgjykimin me shkrim ndaj I.G, i cili u dënua me 10 muaj burgim pasi ka pranuar se përmes telefonit ka dërguar porosi në formë elektronike (e-mail) në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, duke kanosur me vrasje ambasadorin dhe zyrtarët e tjerë.

E-maili në adresë të ambasadës ishte dërguar në qershor të këtij viti, ku sipas aktakuzës, G. kishte kërkuar nga ambasadori ndalimin e grupeve kriminale në Kosovë në të kundërtën do të ndodhte vrasja.

Për veprën penale “rrezikimi i personave me mbrojtje ndërkombëtare”, pas pranimit të fajësisë, ai ishte shpallur fajtorë dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 10 muaj.

Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata pas administrimit të provave dhe pranimit të fajësisë nga vet i akuzuari, vërteton se në veprimet e të njëjtit ekzistojnë të gjitha elementet qenësore të veprës penale të lartpërmendur.

“Me rastin e matjes së dënimit, llojit dhe lartësisë së tij, gjykata mori parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Tutje, në vendim thuhet se si rrethanë rënduese gjykata mori se i akuzuari ka kanosur personat që gëzojnë mbrojtje ndërkombëtare në Republikën e Kosovës, siç është në këtë rast personeli i Ambasadës Amerikane.

Kurse si rrethanë lehtësuese thuhet se gjykata mori parasysh pendimin e thellë të të akuzuarit, kërkim faljen publike, premtimin se nuk do të kryej vepra të tjera penale, gjendjen e dobët ekonomike dhe se ndaj tij nuk zhvillohet procedurë tjetër penale. Si rrethanë posaçërisht lehtësuese thuhet se mori pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 3 shtator 2021, I.G më 16 qershor të vitit 2021, me paramendim dhe dashje, përmes telefonit dhe emalit të tij, në adresën zyrtare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade.

I akuzuari sipas aktakuzës kishte kanosur seriozisht ambasadorin dhe përfaqësuesit e kësaj ambasade, se po që se nuk ndërmarrin veprime për çështjen e sigurisë në Kosovë, për parandalimin e grupeve kriminale, do ta vriste ambasadorin, i cili sipas tij, mbulon kriminelët në Kosovë.

Sipas aktakuzës kishte thënë se nuk ka pasur qëllim të vrasë ambasadorin por të sensibilizojë Ambasadën e SHBA-së në Kosovë me padrejtësitë ndaj familjarëve të tij në një proces gjyqësor.

(Kosova Sot Online)