Prodhuesi i pilulës eksperimentale për Covid-19 akuzohet se po e shet atë 40 fish më shtrenjtë se kostoja

  • E.K /
  • 06 October 2021 - 09:40
 Prodhuesi i pilulës eksperimentale për Covid-19 akuzohet se po e shet atë 40 fish më shtrenjtë se kostoja

Kompania që e prodhon pilulën eksperimentale kundër Covid-19, “Merck”, po akuzohet se po ia shet produktin ShBA-së me çmim 40 fish më të lartë se kostoja e prodhimit, sipas një raporti.

Substanca e quajtur Molnupiravir, e prodhuar nga kompania farmaceutike “Merck”, është pjesë e kontratës me qeverinë amerikane për furnizim me 1.7 milion sete ilaçesh me çmim prej 700 dollarësh për set, shkruan Independent.

Megjithatë, sipas një analize për çmimin e ilaçit, të kryer nga Shkolla e Harvardit për Shëndet Publik dhe Spitali “King College Hospital” në Londër, kostoja e prodhimit të një seti të kësaj substance për përdorim 5-ditor kushton më pak se 18 dollarë ose 17.74 dollarë.

Sipas një studimi, ilaçi i ri, i cili fillimisht ishte zhvilluar për ta trajtuar gripin, mund ta përgjysmojë rrezikun nga vdekja ose hospitalizimi i pacientëve me Covid-19 për grupet më të rrezikuara.

Kritikët thonë se çmimet duhet të jenë të subvensionuara për shkak të fondeve të marra nga qeveria, por kompania “Merck” nuk ka dalë me ndonjë koment për këtë temë.

Sidoqoftë, ajo tashmë ka bërë marrëveshje për licenca me së paku tetë kompani në Indi. Kjo do t’ia mundësoj secilës kompani të licencuar në Indi që ta prodhojë dhe ta shesë ilaçin në Indi dhe në 100 shtete të tjera me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

(Kosova Sot Online)