Lavdim Krasniqi dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për korrupsion e vepra tjera

  • E.K /
  • 06 October 2021 - 13:00
 Lavdim Krasniqi dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm për korrupsion e vepra tjera

Ish-drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe tre të akuzuarit tjerë, Ardian Krasniqi, Marigonë Berisha dhe Flora Doda nuk e kanë pranuar fajësinë për korrupsion e vepra tjera.

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Zejnullah Gashi, katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lavdim Krasniqi nuk e ka pranuar fajësinë për ushtrim ndikimi, keqpërdorim pozite e mosdeklarim të pasurisë, përderisa Ardian Krasniqi nuk e ka pranuar fajësinë për ushtrim ndikimi, falsifikim të dokumenteve e keqpërdorim detyre.

E pafajshme për falsifikim të dokumenteve u deklarua edhe e akuzuara Berisha, ashtu sikurse edhe për blerje, pranim ose fshehje të sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale. Kurse, Doda nuk e pranoi fajësinë për keqpërdorim detyre.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e të akuzuarit Lavdim Krasniqi, të akuzuarën Marigonë Berisha.

E që këto përfitime sipas aktakuzës, janë pranuar nga të lartcekurit duke premtuar se do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për uljen e dënimit, sipas Kërkesës për Mbrojtje të ligjshmërisë, për të dënuarin Bashkim Mulolli, si dhe të shtyhet ekzekutimi i dënimit për te njëjtin.

Me këto veprime prokuroria i ngarkon ata se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “ushtrimi i ndikimit”.

Tutje, prokuroria i ngarkon Marigonë Berishën dhe Ardian Krasniqi se veç e veç kanë kryer veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.

Sipas aktit akuzues, e akuzuara Berisha më 16 dhjetor 2019 kishte falsifikuar dokumentin më të cilin ajo pretendonte se në zyrën e noterit Safadin Blakaj i ka paguar Bashkim Mulollit shumën prej 8 mijë e 400 euro dhe dënimet kundërvajtëse në vlerë 600 euro, e që më pas është konstatuar se nënshkrimi i Mulollit në këtë dokument nuk është i tij.

Ndërsa, Ardian Krasniqi po akuzohet se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e Covidit me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, më të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Tutje, aktakuza Lavdim dhe Ardian Krasniqin i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktin akuzues thuhet se dy të akuzuarit Krasniqi, për shkak të obligimeve që kishin ndaj Bashkim Mulollit kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që kishin penguar arrestimin e Albi Mulollit i cili ishte i dyshuarit për kryerjen e vrasjes se rënde në tentative, duke ia mundësuar këtij të fundit arratisjen nga Kosova për në Shqipëri më veturën zyrtare të akuzuarit Lavdim Krasniqi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lavdim Krasniqi ngarkohet edhe për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Flora Dodën, pasi që në cilësinë e personave përgjegjës kishin shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik.

Prokuroria pretendon se në muajin shkurt të vitit 2021, të akuzuarit Krasniqi dhe Doda, kanë predikuar fituesin dhe kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomik, duke favorizuar operatorët ekonomik (OE) “Graniti Shpk” dhe “Solos Studios“ si dhe përkundër vendimit të Sekretariatit të KPK-së, në fillim të vitit kalendarik, i cili në kuadër planifikimit të prokurimit kontrata e KPK-së ka qenë e lidhur me OE, “Mobeland Shpk”. Të njëjtit kanë porositur dhe pranuar mobile në vlerë prej 9 mijë e 480 euro, e që pas disa ditësh është lidhur kontrata dhe janë zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, Lavdim Krasniqi akuzohet edhe për mos deklarim të pasurisë, pasi që sipas prokurorisë, i akuzuari Krasniqi më 31 mars 2020 në deklaratën për deklarim të pasurisë nuk ka përfshirë shumën e të hollave prej 40 mijë euro, të cilat i ka pranuar nga Fitim Arifi për shitjen e banesës, si dhe të hollat në shumën prej 10 mijë euro, të cilat ia ka dhënë mikut të tij Alush Zariqi, në emër të blerjes së dy banesave.

Krejt në fund prokuroria e ngarkon Marigonë Berishën edhe për veprën penale ”Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”, sepse më 16 dhjetor 2019 e ka pranuar një veturë në vlerë prej 25 mijë euro nga Bashkim Mulolli edhe pse ka qenë e vetëdijshme se kjo veturë ishte fituar më vepër penale të shkaktuar nga Lavdim dhe Ardian Krasniqi.

(Kosova Sot Online)