Vulin: Serbia do t’i marrë armët më të fundit nga Rusia, çdo rusofobi është serbofobi

  • E.K /
  • 11 October 2021 - 12:33
 Vulin: Serbia do t’i marrë armët më të fundit nga Rusia, çdo rusofobi është serbofobi

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se ushtria dhe policia e Serbisë do të marrin pajisjet dhe armët më të fundit nga Rusia.

Ai nuk dha detaje në një intervistë për agjencinë RIA Novosti, por tha se ushtria dhe policia e Serbisë, bazuar në marrëveshjet dhe kontratat e lidhura më parë me Rusinë, do të bëhen “shumë më të forta”.

“Ne nuk mund të flasim për këtë derisa të ndodhë. Por, është absolutisht e sigurt se ushtria dhe policia do të blejnë teknologjitë më moderne, përfshirë ato të prodhuara nga Federata Ruse”, tha Vulin.

Ai përsëriti se Serbia nuk do të bashkohet me NATO-n dhe nuk do t’i mbështesë sanksionet kundër Rusisë.

“Për sa kohë që Aleksandar Vuçiq është president i Serbisë dhe përderisa unë jam në strukturat e sigurisë, Serbia nuk do të bëhet anëtare e NATO-s dhe ne do të kujdesemi rreptësisht për ruajtjen e neutralitetit tonë ushtarak”, tha Vulin.

“Historia ka treguar se çdo rusofobi është edhe serbofobi. Nuk ka ndodhur që dikush ta sulmojë Rusinë pa e sulmuar Serbinë, ky është rregulli”, shtoi Vulin.

(Kosova Sot Online)