Eskalon mosmarrëveshja me Britaninë, francezët kërcënojnë me bllokim portesh

  • A.P /
  • 14 October 2021 - 15:35
Eskalon mosmarrëveshja me Britaninë, francezët kërcënojnë me bllokim portesh

Peshkatarët francezë kanë kërcënuar se do ta bllokojnë qarkullimin e mallrave në prag të Krishtlindjeve për në Britani për shkak të mosmarrëveshjes rreth të drejtave për peshkim pas largimit të Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja.

Paralajmërimi i peshkatarëve francezë erdhi pas njoftimit të muajit të kaluar se atyre nuk u janë dhënë lejet për peshkim afër bregdetit të Jersey-t. BE-ja beson se ky vendim është në kundërshtim me marrëveshjen e Brexit-it, të cilën e ka nënshkruar me Britaninë e Madhe.

Si reagim ndaj këtij vendimi, peshkatarët francezë kanë thënë se mund t’i bllokojnë mallrat e përcaktuara për transportim drejt Britanisë në portet në Calais dhe Dunkirk si dhe në tunelin e Kanalit Anglez.

“Po presim deri të premten dhe pastaj do ta organizojmë veten për të sulmuar”, tha peshkatari Laurent Merlin, shkruan Independent.

Duke folur nga porti francez në Boulogne-sur-Mer, ai shtoi: “Do të krijojmë aq pengesa sa mundemi, duke i bllokuar gjërat për të cilat Britania ka më së shumti nevojë. E pamë mungesën e gazit, do të mundohemi të krijojmë mungesë të diçka tjetër. Jemi të gatshëm për të bllokuar gjithçka. Na duhet kjo leje peshkimi dhe do të bëjmë gjithçka për ta marrë atë.”

Menaxheri i komisionit lokal të peshkimit, Benoit Firmin, tha se, nëse bllokada realizohet, ndoshta do t’i shënjestronte furnizimet për Krishtlindje dhe do të ishte më e gjerë sesa vetëm në portin në Boulogne.

Ai madje u tall me krizën në zinxhirin e furnizimit në Britaninë e Madhe, duke thënë: “Ne ende s’kemi bllokuar dhe tashmë ka mungesë ushqimi, karburantesh e stafi (në Britani).”

(Kosova Sot Online)