Goditet klani i “Bosit të Bosëve”, mafiozëve u sekuestrohen toka, ndërmarrje e llogari bankare

  • A.P /
  • 19 tetor 2021 - 19:08
Goditet klani i “Bosit të Bosëve”, mafiozëve u sekuestrohen toka, ndërmarrje e llogari bankare

Apartamente, llogari rrjedhëse dhe kursimesh, toka dhe ndërmarrje. Një pasuri me vlerë mbi 4 milionë euro, e sekuestruar nga Gjykata e Palermos, e cila i përkiste klanit mafioz Riina në Korleone.

Mediat italiane raportojnë se sekuestrimet më të mëdha, me vlerë 3,5 milionë euro, u janë bërë vëllait dhe nipit të Toto Riina-s, atij që në vitet 1980 konsiderohej “Bosi i Bosëve” i organizatës më të madhe kriminale në Itali, Cosa Nostra, i vdekur në vitin 2017 ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm.

Pasuritë e sekuestruara i përkisnin vëllait të Toto Riina-s, Gaetano, dhe nipit të tij, Mario Salvatore Grizzaffi. Gaetano Riina, vëllai i bosit mafioz, ndodhet në arrest shtëpie, pasi u nxor nga qelia për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në moshën 88-vjeçare, ai vijon të mbetet besnik i klanit korleonez, që shkaktoi tragjedi të mëdha në Itali, të kulmuara me vrasjen e dy prokurorëve të antimafias italiane, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.

Karabinierët ekzekutuan edhe një urdhër sekuestrimi për pasuritë e Salvatore Lobue, i cili kishte disa kompani me emra të rremë. Ai ka qenë një prej njerëzve të besuar të korleonezëve, dhe mendohet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në fshehjen e një tjetër bosi, Bernarndo Proovenzano, i arrestuar në vitin 2006 pas 40 vitesh në arrati.

(Kosova Sot Online)