Shmangnin kontrollin doganor gjatë bartjes së mallrave, dënohen me 14 mijë euro 3 persona

  • E.K /
  • 20 October 2021 - 12:34
Shmangnin kontrollin doganor gjatë bartjes së mallrave, dënohen me 14 mijë euro 3 persona

Gjykata Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurit L.S., për shkak të veprës penale kontrabandimi i mallrave nga neni 311 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe veprës penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 paragrafi 2 të KPRK-së, të pandehurin F.R. i akuzuar për shkak të veprës penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 paragrafi 2 të KPRK-së dhe të pandehurin A.M. për shkak të veprës penale dhënia e ryshfetit nga neni 422 paragrafi 2 të KPRK-së.

Gjykata Themelore në Ferizaj bën të ditur se kryetari i trupit gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor fillestar për marrëveshjen për pranimin e fajësisë, të pandehurit i shpalli fajtor dhe të njëjtit i gjykoi:  të pandehurin L.S. e gjykoi me dënim me gjobë në shumë prej dhjetëmijë (10.000.00) euro. Të pandehurin F.R. me dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) euro dhe dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) muaj i cili dënim në bazë të nenit 44 të KPRK-së, me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim gjobë në shumë prej njëmijepesëqind (1.500) euro dhe të pandehurin A.M. e gjykoi me dënim me gjobë në shumë prej pesëqind (500) euro dhe dënim burgimi në kohëzgjatje prej tre (3) muaj i cili dënim në bazë të nenit 44 të KPRK-së, me pëlqimin e të akuzuarit i zëvendësohet me dënim gjobe në shumë prej njëmijepesëqind (1.500).

Sipas kësaj gjykate, i pandehuri L.S. akuzohet se nga tetori i vitit 2020 deri më 18.05.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka bartur mallra dhe ka kaluar vijën kufitare duke shmangur kontrollin doganor, me rastin e ndaljes dhe kontrollit nga hetuesit doganor, në veturë i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e barnave prej 15 artikuj, përkatësisht 1,385 pako si dhe 248 copë, ndërsa me rastin e kontrollit të depos-garazhës së tij, gjenden dhe sekuestrohen edhe një sasi tjetër e barnave prej 359 artikuj, gjithsej 16,290.00 pako, vlera e përgjithshme e të cilave kap shumën prej 80,061.06 euro.  I njëjti  më 18.05.2021 në pikën kufitare në Han të Elezit, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme zyrtarit doganor, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 70 €, për çka edhe ishin marr vesh paraprakisht përmes telefonit, me qëllim që të mos i nënshtrohet procedurave ligjore të kontrollit kufitar.

“I pandehuri F.R. akuzohet se më 19.03.2021, në pikën kufitare në Han të Elezit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme zyrtarit doganor, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 20 €, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar. I pandehuri A.M. akuzohet se më 21.03.2021, në Ferizaj, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasurorë për vete, në mënyrë të drejtpërdrejtë i ofron dhuratë të paarsyeshme apo përftim tjetër personit zyrtarë, në mënyrë që i njëjti të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ashtu që i jep shumën e të hollave prej 50 €, për shërbimin e kryer ngase i kishte mundësuar futjen e mallrave nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, pa iu nënshtruar procedurave ligjore të kontrollit kufitar”, thuhet nga Gjykata.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

(Kosova Sot Online)