Stano flet për takimin e nesërm mes ekipeve teknike të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

  • G.g /
  • 20 October 2021 - 12:17
Stano flet për takimin e nesërm mes ekipeve teknike të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se të enjten, më 21 tetor do të zhvillohet takimi i parë i grupit punues për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Takimi i parë i grupit punues për targat e veturave me ekspertët nga të dyja palët do të zhvillohet më 21 tetor. Grupi punues ka për qëllim që të gjejë një zgjidhje të përhershme për këtë çështje”, tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Stano shtoi se grupi punues i ekspertëve pritet të takohet rregullisht.

Më 20 shtator, Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat nga Serbia. Ky vendim u pasua me protesta e ngritje barrikadash në afërsi të dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë: Jarinjë dhe Bërnjak.

Më 30 shtator, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, palët arritën një zgjidhje të përkohshme dhe të dyja shtetet më 4 tetor nisën vendosjen e letrave ngjitëse në simbolet shtetërore në targa.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova dhe Serbia do të formojnë një grup punues, që brenda gjashtë muajsh të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme për çështjen e lirisë së lëvizjes.

Ndërkaq, Stano i tha Radios Evropa e Lirë se takimet e ekipeve negociuese dhe ato të nivelit të lartë do të zhvillohen në mënyrë të pavarur nga takimet e këtij grupi punues.

Megjithatë, Stano tha se “nuk ka ende një datë” për takimet e negociatorëve apo takimeve në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, porse po punojnë në atë drejtim.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell kishte biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, dhe u kishte bërë thirrje që sa më parë të kthehen në tryezën e dialogut.

Tensionet në komunat në veri të Kosovës u rritën edhe pas një aksioni kundër kontrabandës të kryer nga Policia dhe Dogana e Kosovës më 13 tetor, me ç’rast, si pasojë e protestave dhe barrikadave në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan u lënduan dhjetëra protestues e policë.

Edhe Komisioni Evropian, përmes Raportit të Progresit, të publikuar më 19 tetor, ftoi Kosovën dhe Serbinë që të kenë një angazhim konstruktiv në dialog dhe që urgjentisht të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e raporteve.

Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011.

(Kosova Sot Online)