Blerja e dyshimtë: Guvernatori 'modest' i BQK-së, vozitë veturë me vlerë gati 70 mijë euro

  • G.G /
  • 20 October 2021 - 16:24
Blerja e dyshimtë: Guvernatori 'modest' i BQK-së, vozitë veturë me vlerë gati 70 mijë euro

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Buxhet dhe Transfere, Eman Rrahmani, deputet i LVV-së e hapi temën për blerjen e një veture në vlerë rreth 70 mijë euro për guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës.

“Në buxhetin e miratuar nga bordi janë miratuar buxheti prej 80 mijë euro për blerjen e dy veturave, ndërsa është blerë vetëm një veturë në vlerë 70 mijë euro”, tha Rrahmani.

Mehmeti tha se e ka sqaruar se kanë qenë mjete të dedikuara për veturë dhe tha se nuk merret me procedura të prokurimit.

“U bënë qe tri vite që po flitet për këtë veturë. Edhe sot ka shkruar një medium për veturën që është blerë”, tha ai.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme u raportua se Banka Qendrore e Kosovës e ka blerë një veturë “Audi” për 69 mijë e 200 euro përmes një procesi të dyshimtë të prokurimit.

Vetura, e cila do të jetë në shfrytëzim nga guvernatori, Fehmi Mehmeti, është blerë në tenderin e tretë dhe vetëm pasi BQK-ja e kishte larguar specifikimin teknik të veturës, i cili e kishte bërë të papërgjegjshme kompaninë “Reforma” Sh.P.K. në ofertën paraprake.

Në tenderin e parë, të shpallur në fillim të vitit 2019, nuk kishte ofertuar asnjë kompani. Kurse, në tenderin e dytë (rintenderimin e parë) kishte ofertuar vetëm kompania “Reforma” Sh.P.K., e cila ishte eliminuar nga gara për mosplotësim të specifikave teknike që ishin kërkuar në dosjen e tenderit.

Për dallim nga oferta e dorëzuar në tenderin e dytë që ishte 67 mijë e 500 euro, në tenderin e fundit kompania “Reforma” kishte ofertuar 69 mijë e 200 euro aq sa ishte lidhur edhe kontrata.

(Kosova Sot Online)