Komuniteti shqiptar do të organizojë protestë para konsullatës së Serbisë në Nju Jork, më 28 tetor

  • E.K /
  • 25 October 2021 - 08:11
Komuniteti shqiptar do të organizojë protestë para konsullatës së Serbisë në Nju Jork, më 28 tetor

Komuniteti shqiptar në bashkëpunim me komunitetin kroat dhe atë boshnjak do të organizojë një protestë më 28 tetor, në orën 12:00, para konsullatës se Serbisë në Nju Jork, me moton “RALLY FOR HER JUSTICE”.

Protesta ka të bëjë me ngritjen e zërit kundër Serbisë, e cila ka kryer krime në Ballkan, përmes spastrimit etnik, vrasjeve dhe dhunimeve, duke tentuar të ndërtojë ëndrrën e kamotshme hegjemoniste të Serbisë së Madhe.

“Ju ftojmë që të vini më 28 tetor 2021, në ora 12:00 në adresën: 62 W 45th St New York, NY, me qëllim që së bashku, si komunitet, ta alarmojmë bashkësinë ndërkombëtare dhe miqtë e Serbisë, se ne jemi këtu dhe nuk do të ndalemi para këtij shteti të ndërtuar mbi gjak, krime e gjenocide. Të nderuar bashkëkombës, duhet të dalim në numër sa më të madh para Konsullatës të Serbisë, ta ngrehim zërin para botës, duke publikuar dhe denoncuar krimet dhe shtetin, i cili mbështet dhe rehabiliton kriminelët e luftës. Ne, si komunitet shqiptaro-amerikan nuk do të rrimë në heshtje, por do ta ngrehim zërin për ata që u vranë, u dhunuan dhe u masakruan nga ky shtet kriminelësh”, thuhet më tej në njoftim.

Duke përkujtuar se historikisht Serbia ishte dhe mbetet shtet gjenocidial, komuniteti shqiptaro-amerikan thotë se Beogradi zyrtar sot me mentalitet fashizoid fle mbi varret masive gjithandej territorit të Serbisë.

“Serbia sot me ndihmën e Rusisë hegjemoniste të Putinit po vazhdon avazin e vjetër të ndërhyrjeve flagrante, duke destabilizuar shtetet e Ballkanit, të cilat kanë qëndrime dhe synime pro-perëndimore, duke ndërhyrë në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnjë. Heshtja vret, prandaj planifikoni kohën tuaj, sepse viktimat e shkaktuara nga Serbia kërkojnë drejtësi. E ne këtu ku jetojmë në vendin me demokratik në botë nuk guxojmë assesi të heshtim. Është e drejtë jona dhe obligim kombëtar që para botes të kërkojmë drejtësi për gjakun e derdhur, për viktimat e pafajshme kundër krimeve që i ka bërë Serbia fashiste”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)