“Ishte krejt e gjakosur”, flet qytetari që pa rrahjen brutale të gruas në marketin në Prishtinë

  • E.K /
  • 27 October 2021 - 09:53
“Ishte krejt e gjakosur”, flet qytetari që pa rrahjen brutale të gruas në marketin në Prishtinë

Të dielën në mesditë, një rast i rëndë ka ndodhur në një market në Prishtinë. 46-vjeçari Feim Berisha ka rrahur një 41-vjeçare, të cilës i ka shkaktuar lëndime trupore. Të tronditur mbetën qytetarët që ishin në market gjatë kohës kur ndodhi krejt ngjarja. Media ju sjell rrëfimin e njërit prej tyre.

Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin kur 46-vjeçari ka sulmuar me grushte një grua në një market në Prishtinë.

Më pas u publikuan edhe pamje tjera, ku Feim Berisha ofendonte gratë tjera që gjendeshin në market, të cilat e kritikuan për sulmin ndaj 46-vjeçares.

E një qytetar që ishte në market në kohën kur ndodhi sulmi, ka treguar për  Express se Feim Berisha kishte tentuar të përleshet edhe me një person i cili kishte reaguar pasi ai e kishte sulmuar 46-vjeçaren.

“Aty kam qenë. I kam nda, dojke me u kapë me një djalë të ri, sepse ai djali reagoi në afekt kur e pa çka i bërë asaj gruas aty”, ka deklaruar ai.

Ai tutje thotë se Feim Berisha i ka shkaktuar lëndime të dukshme 46-vjeçares.

“Shumë, tepër, në ballë i ka pasur dy asi si mallunga që i themi ne, edhe krejt e gjakosur. Mandej i ka ndihmuar stafi i marketit”, ka deklaruar qytetari.

Ai thotë se i kishte dëgjuar britmat e gruas që po sulmohej nga 46-vjeçari. Madje thotë se ky i fundit i ka ofenduar të gjithë ata që i kanë reaguar pas sulmit.

“Paraprakisht nuk kam dëgjuar asgjë, vetëm kur ka filluar të bërtasë ajo gruaja. Sepse askush nuk e ka ditur çka është duke ndodhur. Ai gjithë kohën i ka ofenduar të gjithë ata që kanë reaguar kundër tij”, ka deklaruar qytetari.

Ndryshe, pas sulmit ndaj gruas në market, policia ka arrestuar Feim Berishën, nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Ai u dërgua në mbajtje për 48 orë. Ndërkaq të martën, Prokuroria Themelore e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Prokuroria ka ricilësuar veprën penale nga “Lëndim i lehtë trupor” në “Sulm”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të prokurorit të shtetit ka ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh personin me inicialet F.B., për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. “Rasti ka ndodhur më 24.10.2021, në njërin market në Prishtinë, ku personi i lartcekur dyshohet se me grushte ka sulmuar një grua dhe të njëjtës i ka shkaktuar lëndime trupore, me ç’ rast e dëmtuara ka pranuar trajtim mjekësor, andaj prokurori i shtetit, më 25.10.2021, ndaj të dyshuarit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, ka bërë të ditur Prokuroria.

Cili është dënimi sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, për veprën penale “Sulmi”

Në nenin 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, bëhet e ditur se për këtë vepër penale, dënimi mund të jetë gjobë me para, apo nga gjashtë muaj deri në 3 vjet burgim, varësisht prej rrethanave në të cilat është kryer vepra.

(Kosova Sot Online)