Ministri Murati paralajmëron hetim për ngritje të çmimeve në Kosovë

  • E.K /
  • 28 October 2021 - 12:05
Ministri Murati paralajmëron hetim për ngritje të çmimeve në Kosovë

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka prezantuar një sërë masash në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, derisa ka folur edhe për ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.

I pyetur se a do të ketë hetime për ngritje të çmimeve, Murati ka thënë se me çështjen e rritjeve të çmimeve në Kosovë do të merret edhe Inspektorati i Tregut por edhe Autoriteti i Konkurrencës dhe se do të merren masa në rast se ka pasur manipulime të tilla.

“Normalisht që me këto çështje duhet të merret edhe Inspektorati i Tregut por edhe Autoriteti i Konkurrencës dhe kudo që ka pasur ose kudo që vërehet që ka pasur manipulime të tilla, pra ekziston dhe korniza ligjore që do të merret me këto çështje”, u shpreh Murati.

Në Kosovë, gjatë muajit shtator janë rritur çmimet e artikujve deri në pesë për qind, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Shtrenjtimi ka vazhduar edhe gjatë muajit tetor.

(Kosova Sot Online)