'Krimet e pretenduara nuk do të ndodhnin, po të mos kishte rrjedhje të dokumenteve nga ZPS'

  • G.G /
  • 08 November 2021 - 13:44
'Krimet e pretenduara nuk do të ndodhnin, po të mos kishte rrjedhje të dokumenteve nga ZPS'

Të hënën e tetë nëntorit , në Dhomat e Specializuara të Hagës, ka vazhduar gjykimi ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj.

Para se të dëgjohet dëshmia e dëshmitarit të katërt në Gjykatën Speciale, Daniel Moberg i cili është Punonjës Operativ i Sigurisë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), Jonathan Elystan Rees, avokat i ish-Kryetarit të OVL-UÇK-së, Hysni Gucatit, ka kritikuar ZPS-në, se këta të fundit pa asnjë bazë mbështetëse lidhje me provat që kanë ofruar trupit gjykues po akuzojnë, të akuzuarit.

Sipas Rees, veprat penale të pretenduar nuk do të kishin ndodhur nëse dokumentet konfidenciale nuk do të kishin rrjedhur nga zyrat e ZPS-së për në zyrat e OVL-UÇK-së.

“Trupi gjykues ka konstatuar se ZPS-ja ka në zotërim material nga e cila mund të deduktohet se ZPS-ja nuk ka mundur të përjashtojë mundësin e shtytjes në kryerjen e krimit”, ka thënë Rees.

“Nga provat e paraqitura nga ZPS-ja këto materiale janë dorëzuar nga një person apo nga disa persona të cilat të akuzuarit nuk i njihnin, pa e cituar asnjë bazë mbështetëse lidhje me provat e tyre, ZPS-ja nuk e kupton qartë natyrën e argumentit të shtytjes për kryerjen e krimit”, ka vazhduar ai.

Me 5 nëntori, Moberg duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit, James Patch, pati deklaruar se me 8 shtator të vitit të kaluar, kishte shkuar në zyrat e e OVL-UÇK-së me urdhër të gjykatës për të sekuestruar dokumentet të cilat ishin dorëzuar në këto zyra.

Sipas dëshmitarit në fjalë dokumentet e sekuestruara i kishte futur në kasafortë dhe ia kishte dorëzuar prokurorit që i solli në Hagë.

“I futëm në dy qese provash dhe u vulosën kur u dërguan në Hagë, me shumë gjasë i kam vulosur unë vet”, tha dëshmitari.

Përveç 8 shtatorit, dëshmitari tha se për sekuestrim kishte shkuar edhe dy herë të tjera në zyrat e OVL-UÇK-së dhe atë më 17 dhe 22 shtator 2020.

Gjatë këtyre dy herave, ai tha se me tani të akuzuarin Haradinaj kishte zhvilluar bisedë të përgjithshme, por jo lidhur me sekuestrimin e dokumenteve.

“Nuk flas shqip, thjesht jemi përshëndetur, por fola edhe me z. Haradinaj, sepse ai flet suedisht dhe ai e dinte që unë isha suedez”, tha Moberg.

Gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt i cili ka filluar me 7 tetor të këtij viti është gjykimi i dytë që ka filluar në Gjykatën Speciale.

Deri më tani janë dëgjuar tre dëshmitarë, koordinatorja e hetimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Zdenka Pumper, ish-gazetari i Gazetës Infokus, Halil Berisha si dhe Miro Jukiç, udhëheqës i ekipit për sigurinë dhe trajtimin e dëshmitarëve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

(Kosova Sot Online)