Fshihet murali i kriminelit Ratko Mlladiq

  • E.K /
  • 10 November 2021 - 12:11
Fshihet murali i kriminelit Ratko Mlladiq

Murali i kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq, është fshirë sot pasi ishte zbuluar para dy ditësh në një rrugë të Beogradit.

Sipas medias serbe Nova.rs, prapa fshirjes së muralit qëndron përfaqësuesi i SDPS Djordjo Zujoviq.

Sipas fotografive të shpërndara, në muralin e kriminelit Ratko Mlladiq është hedhur ngjyrë e bardhë.

Dje disa aktivistë serbë janë sulmuar dhe më pas arrestuar pasi kishin hedhur vezë në drejtim të muralit të kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq.

Murali është mbrojtur nga forcat policore dhe anëtarë të lëvizjeve të djathta në Serbi.

Lidhur me incidentet ka reaguar edhe ish-presidenti serb, Boris Tadiq, i cili ka thënë se në Serbinë e Vuçiqit arrestohen njerëzit që i kundërshtojnë muralet e kriminelëve e jo ata që i bëjnë ato murale.

Kjo pasi dje aktivistja serbe Aida Corovic është sulmuar dhe më pas arrestuar, pasi kishte gjuajtur me vezë muralin e kriminelit të luftës, Ratko Mlladiq që gjendet në Beograd.

Tadiq ka shprehur përkrahjen për aktivisten duke thënë se kjo është praktikë në regjimin e Vuçiqit.

“Në Serbinë e Vuçiqit nuk arrestohen ata që bëjnë murale të kriminelëve të luftës dhe festojnë për ta por ata që i kundërshtojnë këto murale. E përkrahi Aida Coroviqin dhe të ata që kanë kurajo të kundërshtojnë regjimin që i feston krimet”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)