
Rreth 900.000 fëmijë amerikanë u vaksinuan në javën e parë

Shtëpia e Bardhë tha të mërkurën se rreth 900.000 fëmijë të moshës 5-11 vjeç e kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër Covid-19 në javën e parë pas miratimit për ta.
Vendimi përfundimtar për lejimin e vaksinimit për këtë grupmoshë u mor më 2 nëntor nga rregullatorët federalë. Rreth 20.000 barnatore, klinika e zyra mjekësh po i japin dozat, shkruan Associated Press.
Administrata e Presidentit Joe Biden po i inkurajon shkollat që të hapin klinika vaksinimi në hapësirat e tyre që ta bëjnë edhe më të lehtë vaksinimin për fëmijët.
Shtëpia e Bardhë gjithashtu po kërkon nga shkollat që të shpërndajnë të dhëna nga burime të besueshme si mjekët dhe zyrtarët e shëndetit publik në mënyrë që të luftohet keqinformimi rreth vaksinave.
Rreth 28 milionë fëmijë të moshave 5 deri 11-vjeçare në Shtetet e Bashkuara i plotësojnë kushtet për ta marrë dozën e vaksinës së kompanisë “Pfizer”. Atyre do t’u jepet një e treta e sasisë që u jepet të rriturve.
(Kosova Sot Online)