Rruga për në Holandë përmes Jarinjës

  • G.G /
  • 11 November 2021 - 11:51
Rruga për në Holandë përmes Jarinjës

Rruga ballkanike këtë vit ka një pamje tjetër nga e mëparshmja, por Serbia gjendet ende brenda saj. Reporterja e DW takoi refugjatë në një rrugë krejtësisht të re drejt vendeve të Evropës.

Ura e vjetër hekurudhore mbi lumin Ibër në të gdhirë, shinat e hekurudhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë mbuluar nga një mjegull e dëndur. Nëpër këto shina mbi urë dhe pastaj nëpër tunel shkon e vjen një herë në ditë treni nga Rashka për në Mitrovicë dhe anasjelltas, përmes pikës administrative kufitare në Jarinje. Në njërën anë të këtij tuneli është Serbia dhe në anën tjetër Kosova. Megjithatë në këtë hekurudhë nuk kalon vetëm treni. Shumë shpesh këtu kalojnë grupe emigrantësh.

Kjo është një nga rrugët alternative të rrahura nga emigrantët, sidomos që kur vitin e kaluar u ndërtua rrethoja me tela ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Këtë e tregojnë edhe mbetjet ushqimore buzë shinave, të vetmet gjëra të dukshme në mjegullën e dendur të orëve të para të mëngjesit. Konservat e peshkut dhe ushqimet e tjera të lëna pas nga emigrantët, tregojnë se ato i kanë me vete që nga fillimi i udhëtimit – mbi to sheh mbishkrime arabe.

Ndeshim në një grup djemsh të rinj, që ecin me nxitim. Ata shkojnë buzë hekurudhës drejt qendrës të Rashkës. Nuk kanë dëshirë të bisedojnë dhe i ikin aparatit fotografik, por megjithatë disa duan të ndalojnë dhe të pushojnë.

Migrantë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë

“Në Shqipëri policia është e mirë edhe në Kosovë “

“Sot është ftohtë, bie edhe shi, dhe ne jemi vetëm në gjysmën e rrugës”, thotë njëri prej tyre, i cili tregon se është nisur nga Siria para më shumë se 30 javësh. Ai shton se ka kaluar nëpër Turqi, Greqi, ku ka patur përvoja të këqija me policinë, prandaj ka ndryshuar rrugën. Ai është i vendosur të rezistojë dhe është i përgatitur për të gjitha rreziqet.

“Në Shqipëri policia është e mirë, edhe në Kosovë është e mirë. Në këto vende nuk kemi pasur probleme, prandaj edhe shkojmë atje, prandaj kalojmë kufirin nga Kosova. Por jemi të lodhur, udhëtojmë gjatë, kemi ftohtë, jemi të lagur nga shiu, por qëllimi im është të shkoj në Holandë. Tani do të shkoj në Rashkë, pastaj me autobus për në Beograd dhe pastaj në Sombor”, thotë ky i ri, që ecën me të tjerët në hekurudhë.

Një grua vendase, shtëpia e së cilës sheh nga hekurudha, thotë se emigrantët kalojnë atje në çdo kohë të ditës apo të natës. Hekurudha është rruga që ata përdorin më shpesh. Rrugës nga Jarinja për në Rashkë takojmë një grup më të madh. Ata kanë edhe më pak dëshirë për të folur dhe nxitojnë të kërkojnë një autobus për në Beograd. Duke parë këtë grup emigrantësh, një taksist nga Rashka i thërret të njohurit të tij matanë rrugës: “Unë nuk i vozis dot, mua do më ndëshkonin menjëherë, transporti i emigrantëve është rreptësisht i ndaluar. Dhe pastaj vjen një autobus nga Novi Pazari dhe i transporton. Si është e dënueshme për mua, dhe për të jo?”, pyet ai me zë të lartë.

Largimi nga Serbia i vështirë

Pavarësisht nga rrugët e reja, përmes të cilave emigrantët hyjnë në Serbi, në komisariatin për Refugjatë dhe Migrim të Republikës së Serbisë thonë se rrugët “nuk kanë ndryshuar shumë dhe se shumica e tyre ende vijnë nga Maqedonia e Veriut. Nuk është vërejtur rritje e ndjeshme e fluksit të emigrantëve gjatë këtij viti krahasuar me një vit më parë.”

Këtë vit në qendrat e pritjes dhe azilit kanë kaluar 55.710 persona, ndërsa vitin e kaluar kanë qenë gjithsej 63.408 emigrantë. Mesatarja e qendrimit këtë vit dhe vitin e kaluar ka qenë rreth një muaj”, thuhet në përgjigjen e Komisariatit. Ata shtojnë se në qendrat e pritjes dhe azilit janë të vendosur aktualisht afro 5000 emigrantë dhe se shumica e tyre vijnë nga Afganistani, të pasuar nga emigrantët nga Siria.

Megjithëse qendrat e emigrantëve në Serbi nuk janë plotësisht të mbushura, Sombori në veriperëndim të Vojvodinës muajt e fundit është plot me refugjatë. Nga atje ata mund të zgjedhin, nëse do ta provojnë me rrugën drejt Hungarisë, apo drejt Kroacisë. “Këto kalime, që ne i quajmë ‘lojëra’, ndodhin çdo ditë. Unë personalisht kam provuar më shumë se 25 herë, që të lë pas vetes kufirin serb”, thotë një nga emigrantët, që ndodhet aktualisht në Sombor.

“Kur jam përpjekur të largohem nga Serbia, secilën herë ka qenë shumë e vështirë. Dhe tani ka për të qenë e vështirë për shkak të dimrit. Ata që momentalisht kalojnë me lehtësi kufirin, kanë shumë para. Paraja është gjëja më e rëndësishme këtu. Kush shpenzon shumë para për të jetuar këtu, ka më pak mundësi për të vazhduar më tej. Prandaj tani më shpejtësi hyhet në Serbi dhe dilet prej saj”, thotë bashkëbiseduesi ynë Amir nga Siria.

Konservat e peshkut me shkronja arabe mbështesin rrëfimin e Amirit, se paratë shpenzohen minimalisht. Pas tridhjetë javësh nga Siria përmes Turqisë dhe Greqisë, pastaj Shqipërisë dhe Kosovës, prej Jarinjes rrëzë Kopaonikut nis gjysma tjetër e rrugës për këta udhëtarë. Sa javë të tjera do të ecin deri në destinacionin e tyre, për ta nuk ka rëndësi, derisa të arrijnë aty, për ku janë nisur.

(Kosova Sot Online)