Paralajmëron mjeku italian: Spitalet po kthehen në ditët e zeza të pandemisë

  • S.A /
  • 11 November 2021 - 12:52
Paralajmëron mjeku italian: Spitalet po kthehen në ditët e zeza të pandemisë

Shefi i një reparti për kujdes intensiv në qytetin verior italian, Triestë, tha se spitalet po e përjetojnë kthimin në ditët e errëta të pandemisë pas rritjes së numrit të rasteve dhe hospitalizimeve.

Umberto Lucangelo tha se 90 për qind e pacientëve me Covid-19 janë të pavaksinuar, përderisa disa persona që ndodhen në repartin e kujdesit intensiv u ishin bashkuar protestave kundër pasaportës shëndetësore e vaksinimit në qytet.Ai shtoi se njësitë spitalore janë në kufijtë e tyre dhe stafi po detyrohet që të punojë me dy ndërrime. “…Me hidhërimin duke e parë shkallën e atyre që nuk po vaksinohen dhe që besojnë në trillime”, tha mjeku i dëshpëruar.

Triesta ka qenë në qendër të protestave kundër vaksinimit dhe pasaportës shëndetësore në Itali. Protestat u zgjeruan, pasi qeveria e bëri të detyrueshme pasaportën shëndetësore për të gjithë punëtorët, të cilët duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar, kanë imunitet ose kanë dalë negativë në test para se të hyjnë në vendin e punës, shkruan The Guardian.

Rritja e numrit të rasteve në javët e fundit po cilësohet pjesërisht si pasojë e këtyre protestave, por edhe si rezultat i shkallës së ulët të vaksinimit në qytet e qarkullimit të madh përtej kufirit me Slloveninë fqinje, ku gjithashtu ka pasur rritje të numrit të infeksioneve.

Mjeku Lucangelo tha se disa kundërshtues të vaksinave në spital janë penduar, “por të tjerët janë mohues të pandryshueshëm, që ende janë të bindur se Covid-i nuk ekziston”.

 

(Kosova Sot Online )