
PDK-ja fituese e zgjedhjeve ndër partitë shqiptare, merr më së shumti komuna

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) është fituesja e këtyre zgjedhjeve lokale ndër partitë shqiptare, duke fituar tri qytete të mëdha në mesin e nëntë komunave sa mori gjithsej.
Mitrovica dhe Prizreni – të cilin elektorati i partisë e quan Jerusalemi i PDK-së – janë dy nga qytetet e mëdha të cilat PDK-ja i riktheu. Ndërsa Ferizajn e rimori Agim Aliu pa balotazh në rundin e parë.
Pas një pauze 4-vjeçare, PDK-ja e riktheu edhe Skenderajn me Fadil Nurën të përkrahur nga Sami Lushtaku. Kjo fitore në Drenicë u finalizua në rundin e parë të zgjedhjeve.
Në total, PDK-ja do të administrojë me nëntë komuna: Mitrovicën, Prizrenin, Ferizajn, Skenderajn, Vushtrrinë, Drenasin, Kaçanikun, Dragashin dhe Hanin e Elezit.
E dyta nga partitë shqiptare doli LDK-ja e cili mori dy qytete të mëdha nga 7 komuna në total.
LDK-ja në këto zgjedhje krenohet me rikthimin e kryeqytetit pas 8 vjetëve administrim nga Shpend Ahmeti.
Pa balotazh LDK-ja fitoi në Lipjan dhe Pejë, ndërsa sonte pos Prishtinës, mori Junikun, Istogun, Fushë-Kosovën dhe Vitinë.
AAK-ja doli e treta nga partitë shqiptare duke marrë 5 komuna gjithsej. Pa balotazh e fitoi Suharekën dhe Deçanin, ndërsa sonte fitoi në Klinë, Rahovec dhe Gjakovë.
Partia e pushtetit që në zgjedhjet e fundit qendrore doli e para me mbi 50% të votave, arriti të marrë katër komuna në total, në mesin e tyre edhe një qytet të madh.
VV-ja e Kurtit fitoi në Gjilan, Kamenicë, Shtime dhe Podujevë.
Sipas renditjes, PDK-ja mori më së shumti komuna, ndërsa LDK-ja doli e dyta, AAK-ja e treta, ndërsa VV-ja doli e katërta.
(Kosova Sot Online)