Avokati iu del në ndihmë emigrantëve, vendos drita të gjelbra në ndërtesat ku ata mund të kërkojnë ndihmë

  • A.P /
  • 16 November 2021 - 16:02
Avokati iu del në ndihmë emigrantëve, vendos drita të gjelbra në ndërtesat ku ata mund të kërkojnë ndihmë

Një avokat polak ka ndërmarrë një iniciativë duke vendosur drita të gjelbra në shtëpitë apo ndërtesat pranë kufirit bjellorus. Dritat janë sinjal për refugjatët e bllokuar në kufi, se mund të drejtohen në ato vende për të kërkuar ndihmë, ushqim apo veshje.

Falë rrjeteve sociale ai ka dërguar mesazhe në gjuhë të ndryshme për t’u shpjeguar emigrantëve të bllokuar në kufi se drita e gjelbër do të thotë se mund të kërkojnë ndihmë. Ndërsa banorëve polakë të trembur nga ky fluks emigrantëve, ai u shpjegon se kjo iniciativë nuk do të inkurajojë veprime të paligjshme por vetëm të sigurojë mbijetesën e njerëzve të dëshpëruar.

Por jo të gjithë kanë besim, shumë polakë frikësohen për jetën e tyre duke thënë se emigrantët po e dëmtojnë Poloninë dhe se ata janë sjellë nga ushtarët bjellorusë deri në kufi. Për avokatin polak ndihma e tij është vetëm një pikë uji në oqean.

Refugjatët që janë  vendosur në pyjet në kufi mes Polonisë dhe Bjellorusisë janë me mijëra dhe ndërhyrja e organizatave ndërkombëtare jo fitimprurëse, është e domosdoshme. Sipas ligjit polak është e ndaluar që dikush të shoqërojë emigrantët në rrugën e tyre për të kaluar kufirin. SI dhe është e ndaluar me ligj që atyre t’u hidhen përtej kufirit – pra në territorin bjellorus – ushqime, veshje apo batanije.

Aktivistët e dritave të gjelbra ofrojnë mikpritje për natën dhe ndihma emergjente, dhe nuk mund të ndiqen me ligj. Mesazhi i avokatit polak është i qartë: Nuk do ju ndihmojmë të fshiheni apo të vazhdoni udhëtimin. Do ju ndihmojmë vetëm që të mbijetoni, si pjesë e solidaritetit me njerëzit në nevojë.


(Kosova Sot Online)