Kur do të fillojë vaksinimi me dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19, tregojnë nga MSh-ja

  • A.P /
  • 19 November 2021 - 17:13
Kur do të fillojë vaksinimi me dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19, tregojnë nga MSh-ja

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se janë duke i bërë përgatitjet që brenda pak ditësh të fillojë vaksinimi me dozën e tretë të vaksinës kundër Covid-19.

Msh-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që nuk janë vaksinuar që ta bëjnë një gjë të tillë.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të cilët nuk janë vaksinuar ende apo nuk e kanë kompletuar vaksinimin me të dy dozat që ta bëjnë sa më parë këtë, ndërkohë që po bëhen përgatitjet që brenda disa ditësh të fillohet edhe me administrimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë”, thuhet në njoftimin e MSh-së.

Njoftimi i plotë:

Me qëllim të zgjerimit të mundësive për vaksinim kundër COVID-19 në sa më shumë qendra dhe përmes ekipeve mobile, Ministria e Shëndetësisë i njofton qytetarët se gjatë kësaj fundjave (e shtunë dhe e diel, 20 dhe 21 nëntor), një ekip mobil i vaksinimit do të jetë i vendosur në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, për t’u ofruar vaksinim qytetarëve të interesuar.

Ekipi mobil i vaksinimit që do të jetë nga QKMF-ja e Komunës së Obiliqit, do të vaksinojë për dy ditë radhazi në aeroport nga ora 08:00-16:00.

Gjatë ditës së sotme ndërkaq, krahas qendrave statike të vaksinimit, përmes ekipeve mobile mundësi vaksinimi është ofruar edhe në disa këshilla të Bashkësisë Islame të Kosovës në kohën e faljes së xhumasë.

Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve të cilët nuk janë vaksinuar ende apo nuk e kanë kompletuar vaksinimin me të dy dozat që ta bëjnë sa më parë këtë, ndërkohë që po bëhen përgatitjet që brenda disa ditësh të fillohet edhe me administrimin e dozës përforcuese dhe dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë.

(Kosova Sot Online)