Aktakuza e plotë: Mësimdhënësi nga Vitia thotë se rrahu nxënësen e tij pasi ia ka përsëritur fjalët

  • E.K /
  • 25 November 2021 - 11:54
Aktakuza e plotë: Mësimdhënësi nga Vitia thotë se rrahu nxënësen e tij pasi ia ka përsëritur fjalët

Prokuroria Themelore e Gjilanit ka ngritur aktakuzë kundër H.R., mësimdhënës i biologjisë në shkollën fillore “Dëshmorët e Vitisë” në Viti. Mësimdhënësi akuzohet për rrahjen e nxënëses së tij 13-vjeçare në orën e gjashtë të mësimit, më datë 1 nëntor 2021.  Media ka siguruar aktakuzën e plotë dhe në vijim ju sjell hollësi nga rasti.

Mësimdhënësi H.R., akuzohet se ka kryer veprën penale, ‘’Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike’’. Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kjo vepër penale është e dënueshme nga 6 muaj deri në 5 vjet burgim.

Siç shkruan në aktakuzën e siguruar nga express, H.R., në ditën kritike fillimisht nxënëses së tij 13-vjeçare i ka bërtitur me ton të lartë, ia ka përplasur çantën për banke dhe e ka goditur me shuplakë në dy faqet dhe kur e dëmtuara ka tentuar të largohet nga klasa mësimdhënësi e ndalon dhe e shtyn me duar duke e përplasur për karrige dhe banke.

“Më 1 nëntor 2021, rreth orës 12:00, në orën e gjashtë të mësimit në hapësirën e shkollës fillore “Dëshmorët e Vitisë”, në Viti, i pandehuri, H.R., duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet e tij, gjersa ishte duke ushtruar detyrën e mësimdhënësit ka keqtrajtuar, frikësuar dhe fyer rëndë dinjitetin e të dëmtuarës, nxënësës të moshës 13-vjeçare. Ashtu që fillimisht i bërtet me ton të lartë, ja përplas çantën për banke e më pas e sulmon duke e goditur me shuplakë në faqen e majtë e më pas në faqen e djathtë të dëmtuarën, dhe kur e dëmtuara dëshiron të largohet nga klasa, i pandehuri H.R., e ndalon dhe e shtynë me duar të dëmtuarën duke e përplasur për karrige dhe banke shkollore. Me çka ka kryer veprën penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”, nga neni 195 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë përshkruhet edhe deklarata e mësimdhënësit dhënë para prokurorit për rrahjen ndaj nxënëses së tij. Sipas tij, në ditën kritike të gjithë nxënësit kanë marrë shënime gjatë diktimit të tij, me përjashtim të të dëmtuarës. Ai ka deklaruar se nxënësja 13-vjeçe ia ka përsëritur fjalët dhe ka penguar orën mësimore.

Mësimdhënësi ka deklaruar se për veprimet e tij është penduar shumë dhe ka thënë se prindi i vajzës e ka thirrur për t’i kërkuar falje, por shprehet se i ka thënë ” unë jam ai që duhet të kërkoj falje të dëmtuarës”.

“H.R., deklaron se në ditën kritike ka qenë në orën e gjashtë të mësimit, kam dëgjuar zhurmë të madhe në klasë, të jashtëzakonshme nga herat e tjera, e kjo më ka penguar mua, sepse unë mbaj disiplinë në klasë. Përderisa të gjithë merrnin shënime gjatë diktimit tim, përjashtimisht nxënëses, e cila më përsëritke fjalët e mia dhe pengonte orën mësimore, si dhe mbante një çantë para vetes mbi banke, unë ju afrova për të ja hequr çantën dhe derisa e kisha dorën lartë, e derisa nxënësja dëshironte të dilte nga klasa e kam kthyer përsëri në bankën e saj shkollore. Pas ballafaqimit nga ana e prokurorit me video-incizim, të pandehurin, i njëjti deklaroi se e ka goditur të dëmtuarën vetëm njëherë dhe se “mendoj se është gabim të përdoret forca, si dhe për këtë çështje jam penduar shumë. Më ka thirrë prindi i vajzës i cili më kërkoi falje, por unë i thash që unë jam ai që duhet të kërkoj falje të dëmtuarës”, thuhet tutje në aktakuzë.

Tutje, në aktakuzë shkruan se  edhe e mitura ka deklaruar se është goditur nga mësimdhënësi i saj i biologjisë dhe se në orën e radhës i njëjti i ka kërkuar falje për veprimet e tij. Aty thuhet se nxënësja ka deklaruar së më parë nuk është rrahur nga mësimdhënësi. 

(Kosova Sot Online)