“Isha i sulmuar nga militantët e VV’së, LDK s’më mbrojti”, Veliu tregon a do të largohet nga partia

  • A.P /
  • 02 December 2021 - 20:59
“Isha i sulmuar nga militantët e VV’së, LDK s’më mbrojti”, Veliu tregon a do të largohet nga partia

Agim Veliu i LDK’së thotë se nuk do të largohet kurrë nga kjo parti. Kritikon lidershipin e ri të partisë, e cila sipas tij, nuk e mbrojti, kur ai u sulmua nga siç tha, militantë të VV’së.

“Unë jam në Lidhjen Demokratike të Kosovës, kam qenë, jam dhe do të jem gjithëherë, gjithmonë në LDK. Asnjëherë nuk do të largohem nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pavarësisht sjelljes së lidershipit në këtë rast aktual, sepse unë konsideroj se lidershipi dhe kryetari i LDK’së kanë role të përkohshme ndërsa LDK është parti, sipas meje, e përhershme dhe unë do të jem anëtar i saj, sepse aktivitetin e parë politik e kam bërë me LDK’në”, tha Veliu.

“Kam bërë një rrugëtim të gjatë me LDK, më shumë se 30 vjet. Kam kontribuar shumë dhe kontributin tim s’mund ta mohoj askush e as një vendim i kundërligjshëm i lidershipit aktual të LDK’së’, theksoi ai.

“Unë vërtetë kam qenë i sulmuar nga militantët e një subjekti tjetër politik, në këtë rast të Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak të pozicionimit tim në raport me VV’në, në raport me koalicionin me VV’në dhe fatkeqësisht Lidhja Demokratike e Kosovës nuk më ka mbrojt, sepse po të më mbronte LDK, mua dhe disa tjerë që kemi qenë të sulmuar në atë periudhë sigurisht se gjërat do të rrinin pak më ndryshe”, shtoi ish-Ministri i Punëve të Brendshme.

(Kosova Sot Online)