Rrëzohet helikopteri, vdesin komandanti i përgjithshëm i ushtrisë dhe gruaja e tij

  • A.P /
  • 08 dhjetor 2021 - 15:50
Rrëzohet helikopteri, vdesin komandanti i përgjithshëm i ushtrisë dhe gruaja e tij

Komandanti më i lartë i ushtrisë indiane ka mbetur i vdekur nga rrëzimi i helikopterit me të cilin po fluturonte, njoftuan Forcat Ajrore të Indisë.

Shefi i Stafit të Mbrojtjes, Gjeneral Bipin Rawat, bashkëshortja e tij dhe 11 të tjerë vdiqën, pasi helikopteri i tipit “Mi-17V5” u rrëzua në kodrat afër qytetit Coonoor të mërkurën në mëngjes, shkruan BBC. Një i mbijetuar është duke u trajtuar në spital.

Gjenerali 63-vjeçar u emërua shef i parë i Stafit të Mbrojtjes në janar të vitit 2019. Posti i ri i bëri bashkë forcat tokësore, ajrore dhe detare dhe Rawat ka udhëhequr disa operacione, përfshirë atë në pjesën e Kashmirit të kontrolluar nga India.

Forcat Ajrore të Indisë thanë se kanë urdhëruar fillim të hetimeve për këtë aksident, që ndodhi në mot me mjegull. Komisioni i sigurisë, i udhëhequr nga Kryeministri Narendra Modi, është duke zhvilluar një takim emergjent.

Helikopteri sapo ishte ngritur në qiell nga baza ushtarake në Sulur dhe ishte nisur drejt qytezës Wellington, më pak se 100 kilometra larg vendit të nisjes, ku gjenerali kishte planifikuar që ta vizitonte Kolegjin e Stafit të Shërbimeve të Mbrojtjes.

Ndonëse modeli rus, “Mi-17V5”, është në mesin e helikopterëve më të sofistikuar ushtarakë për transport, flota ajrore në vjetrim e sipër shpesh fajësohet për numrin e madh të aksidenteve.

(Kosova Sot Online)