Akuzat për sindikata, Eliza Hoxha replikon me kryeministrin Kurti në Kuvend

  • E.K /
  • 13 December 2021 - 12:32
Akuzat për sindikata, Eliza Hoxha replikon me kryeministrin Kurti në Kuvend

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ia ka kujtuar Kryeministrit Albin Kurti, kohën sa ishte në opozitë dhe i kishte përkrahur sindikatat. Kurti i është kundërpërgjigjur se sindikatat duhet të jenë jopartiake.

Hoxha deklaroi se sa ishte në opozitë, Kurti i kishte pritur sindikatat dhe ishte zotuar se do t’i përkrahë.

“Ju personalisht i keni pritur këto sindikata, edhe të arsimit, edhe të shëndetësisë, kur keni qenë në opozitë. Dhe jeni zotuar se do t’i përkrahni, sa keni qenë në opozitë dhe ndryshimi i kursit për mua është i befasueshëm. Ajo që më intereson është po ashtu barazimi apo argumenti që ju jepni, kur unë flas për këto institucione që nuk kanë kaluar në proces të privatizimit, as policia, as zjarrfikësit, as arsimi, as shëndetësia”, ka deklaruar Hoxha.

Deputetja e PDK-së i ka thënë Kurtit se duhet ta gjejë një zgjidhje për sindikatat, pasi sipas saj, punëtorët e sektorit publik janë më të prekurit nga rritja e çmimeve.

“Ju po flisni për probleme sindikale, të puëntorëve në procese të ndërmarrjeve publike, të cilat dashtë padashtë kanë kaluar në proces të privatizimit. Ndaj ju kisha lutur që thjesht të gjeni një zgjidhje, një kohë dhe një përkushtim që të uleni bashkë me ta dhe t’i adresoni çështjet. Sepse në fakt rritjet enorme të çmimeve, jo vetëm e prekin aspektin e sindikatave ose punëtorët në sektorin publik, por të gjithë pa dallim, megjithëse më së shumti ndihet te ata, sepse pagat në këtë sektor nuk janë rritur nga 2016-ta”, ka deklaruar Hoxha.

Kryeministri Kurti i është kundërpërgjigjur deputetes Hoxha, duke i thënë se Kosova duhet të ketë sindikata të fuqishme në sektorin privat, por nuk i ka.

Sipas Kurtit, gjendja me sindikatat tani është si pasojë e 20 viteve të kaluara.

“Sigurisht që arsimi e shëndetësia nuk janë sindikatat e vetme, sektori publik është më i madh se kaq, por këto janë praktikisht kryesoret. Ne do duhej të kishim sindikata të fuqishme në sektorin privat, mirëpo ja që nuk i kemi dhe për këtë do të punojmë. Meqë Ligji i punës ua mbron të drejtat punëtorëve individualisht, por sindikatat i mbrojnë ata kolektivisht, e e para pa të dytën është shumë e mangët. Ajo që po theksoj unë është se na nevojitet një dinamizëm sindikal në Kosovë, i cili nuk është jopolitik por është jopartiak, dhe gjendjen që e kemi sot në sindikata, është në masë të madhe edhe pasojë e këtyre 20 viteve në ekonominë dhe shoqërinë e Kosovës, të dominuar nga privatizimi i egër dhe abuziv. Ka pasur të tillë të cilët e kanë rezistuar këtë privatizim…”, ka deklaruar Kurti.

Kurti tha se në të kaluarën ka pasur privatizim të posteve dhe ttrajtimit privat përbrenda sektorit publik.  

“Pra unë po them që për të hyrë në një fazë të re të zhvillimit, nuk do të mundemi as me mënyrat, as me mendësinë e vjetër. Dhe kur po them privatizim, nuk po mendoj vetëm atë që e kanë bërë AKM-ja e AKP-ja, por po them prej privatizimit të posteve, nepotizmit, trajtimit privat përbrenda sektorit publik e në raport me publikun të strukturave publike, të gjitha këto janë pjesë e privatizimit. Për ta forcuar shtetin e Kosovës, realisht na duhet një lloj deprivatizimi i publikes, e për këtë na nevojiten qasje të reja edhe sindikaliste, e unë për këtë jam i gatshëm të ndihmoj, por kjo është përtej mjerimit social që gjenden njerëzit tanë.”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)