Blinken i bën thirrje Senatit ta përshpejtojë konfimrimin e ambasadorëve të rinj

  • E.K /
  • 14 December 2021 - 11:44
Blinken i bën thirrje Senatit ta përshpejtojë konfimrimin e ambasadorëve të rinj

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka bërë thirrje të martën në Seantin e SHBA-së për t’i përshpejtuar konfirmimet e kandidatëve të Presidentit Joe Biden për ambasadorë, duke thënë se këto vonesa kanë penguar përpjekjet për t’i trajtuar sfidat e politikës së jashtme.

Biden është zotuar që përmes diplomacisë ta rivendosë udhëheqjen e SHBA-së në botë, përfshirë edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Reuters shkruan se konfirmimi i kandidatëve për ambasadorë nga Senati është thelbësor për arritjen e këtij qëllimi.

“Ky është një problem i madh”, tha Blinken në një konferencë shtypi në Xhakarta, ndalesa e parë në një udhëtim në Azinë Juglindore që do ta mbulojë Malajzinë dhe Tajlandën. “Për hir të sigurisë sonë kombëtare, Senati duhet të veprojë”, tha ai.

Të nominuarit nuk bëhen ambasadorë derisa të konfirmohen nga Senati i SHBA-së.

Blinken tha se deri javën e kaluar vetëm 16% e diplomatëve kanë marrë konfirmim në Senat dhe kujtoi se gjatë tri administratave të mëparshme, 70 deri në 90% e ambasadorëve ishin konfirmuar deri në këtë periudhë.

“Pothuajse çdo sfidë me të cilën përballemi, duke përfshirë Rusinë, Kinën, me faktorët joshtetërorë, ne jemi të penguar nga fakti që nuk kemi ekipin tonë të plotë të sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme në terren.”

Ai shtoi se ka folur për këtë problem me udhëheqësin e shumicës në Senat, Chuck Schumer, të hënën mbrëma.

Reuters shkruan se senatorët republikanë, Ted Cruz dhe Marco Rubio po bllokojnë zgjedhjen e kandidatëve për ambasadorë të propozuar nga presidenti Joe Biden.

Më 19 nëntor, Jeffrey Hovenier u konfirmua në Senat si ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë.

Hovenier, diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Në tetor, në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike. Ai tha gjithashtu se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden.

(Kosova Sot Online)