Qëlloi për vdekje Jurgen Dukën/ Kush ishte polici që mbante armën dhe jashtë shërbimit

  • G.G /
  • 14 December 2021 - 13:42
Qëlloi për vdekje Jurgen Dukën/ Kush ishte polici që mbante armën dhe jashtë shërbimit

Personi në foto është Arbër Sula, efektivi i Policisë së Shtetit që është shpallur në kërkim për ngjarjen e ndodhur pas mesnate në “Vasil Shanto”. Pas një konflikti të çastit, Sula qëlloi me armë zjarri drejt Jurgen Dukës duke e lënë të vdekur në vend.

“Në vijim të veprimeve  të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është  bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Jurgen Duka (Mëziri), i cili është shtetasi Arbër Sula, banues në Sauk, punonjës policie në DVP Dibër”, njoftoi Policia, teksa bënte me dije se kishte identifikuar autorin.

Sipas Bluve të Tiranës, autori i dyshuar nuk ka qenë në shërbim gjatë ngjarjes, ama me vete mbante armën e zjarrit pistoletë. Ende nuk është saktësuar ende nëse pistoleta ishte ajo që mbante gjatë detyrës në Dibër, apo polici Arbër Sula lëvizte me armë tjetër pa leje.

Ai është shpallur në kërkim nga Policia, pasi akuzohet për vrasjen e 29 vjeçarit.

Grupi hetimor gjatë kontrollit të rrobave të shtetasit Jurgen Duka (Mëziri), ka gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 2.8 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, ndërsa në vendin e ngjarjes janë sekuestruar një gëzhojë pistolete dhe një DVR me pamjet filmike të ngjarjes.

Një plumb në gjoks rezultoi fatal për 29 vjeçarin Jurgen Duka. Ai ra në tokë dhe humbi jetën.

(Kosova Sot Online)