Lira në “rënie të lirë” pas vendimit që e kërkoi Erdogani, rekord i ri negativ

  • E.K /
  • 17 December 2021 - 13:04
Lira në “rënie të lirë” pas vendimit që e kërkoi Erdogani, rekord i ri negativ

Kriza e valutës turke u përkeqësua edhe më tej të premten, pasi lira shënoi rënie prej 8 për qind dhe tani ndodhet në nivel rekord të ulët. Kjo rënie erdhi pas shqetësimeve rreth planit të Presidentit Rexhep Erdogan për uljen e shkallës së interesit në kohën e rritjes së çmimeve.

Vlera e lirës ra në 17.07 në raport me një dollar, duke e nxitur ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Bankës Qendrore në treg në përpjekje për ta parandaluar trendin negativ. Kjo ishte ndërhyrja e pesë e Bankës Qendrore vetëm këtë muaj.

Blerja e dollarëve nga banka i kufizoi humbjet e lirës në nivelin 16.5. Në këtë shkallë, i bie që lira prapë ka humbur 55 për qind të vlerës këtë vit, përfshirë 37 për qind vetëm në 30 ditët e fundit, shkruan Reuters

Vendimi i Presidentit Erdogan për lehtësimin e shkallës së interesit për 500 pikë bazë nga shtatori, përfshirë një ulje tjetër të madhe të enjten, e ka çuar inflacionin në mbi 21 për qind. Ekonomistët thonë se ka gjasë që kjo shifër vitin e ardhshëm të shkojë në 30 për qind për shkak të çmimeve të importit dhe rritjes emergjente të pagës minimale.

Erdogani ka vendosur që paga minimale të rritet për 50 për qind dhe të shkojë në 4.250 lira (rreth 275 dollarë) në muaj vitin e ardhshëm. Kjo pritet që ta rrisë inflacionin e çmimeve të konsumit për 3.5 deri 10 pikë të përqindjes.

(Kosova Sot Online)