Aktakuzë kundër personit që ia ofroi 30 euro policit në Vërmicë pasi nuk e kishte certifikatën e vaksinimit

  • G.G /
  • 21 December 2021 - 10:51
Aktakuzë kundër personit që ia ofroi 30 euro policit në Vërmicë pasi nuk e kishte certifikatën e vaksinimit

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.B., (shtetas i Republikës së Shqipërisë) i cili gjendet nën masën e paraburgimit nga data 10.12.2021 për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.B., “me datë 09.12.2021 në pikë-kalimin kufitar të Vërmicës, kufiri Shqipëri – Kosovë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ofron dhuratë të paarsyeshme apo përfitim tjetër, personit zyrtar në mënyrë që ai person të veprojë ose të mos veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare, ashtu që gjatë kalimit të pikës kufitare të Vërmicës derisa ishte duke udhëtuar me automjetin “Audi A4”me targa regjistrimi të Republikës së Shqipërisë, së bashku me dy pasagjerë të tjerë, i pandehuri në momentin kur afrohet për kontroll, duke ditur që nuk ka certifikatë të vaksinimit, në lejen e qarkullimit të automjetit i vendos tri kartëmonedha prej dhjetë (10) euro – gjithsej tridhjetë (30) euro, të cilat ia jep zyrtarit policor A.Sh., e në momentin kur zyrtari policor i vëren paratë dhe e pyet se për çfarë janë këto para, i pandehuri përgjigjet se paratë i ka lënë për të, për respekt ndaj tij , dhe se nuk kanë certifikatë vaksinimi e as test PCR për Covid-19, nëse ka mundësi që tu lejohet hyrja në Kosovë. Me këto veprime, i pandehuri A.B., ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” sipas KPRK-së”, njofton prokuroria.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit.​

(Kosova Sot Online)