Marrëveshja Kosovë – Danimarkë për burgun bëhet lajm në BBC

  • E.K /
  • 21 December 2021 - 15:19
Marrëveshja Kosovë – Danimarkë për burgun bëhet lajm në BBC

Transmetuesi publik britanik, BBC, ka raportuar për marrëveshjen që Kosova ka arritur me Danimarkën për t’ia lëshuar me qira 300 qeli burgu me qëllim të lehtësimit të mbingarkesës në burgjet e shtetit skandinav.

BBC-ja raportoi se Danimarka do të paguajë 15 milionë euro në vit për periudhën fillestare prej 5 vjetësh dhe gjithashtu do të ofrojë ndihmë për financimin e energjisë së gjelbër në vend.

“Qelitë e marra me qira janë caktuar për mbajtjen e kriminelëve të dënuar nga vendet jashtë BE-së që pritet të dëbohen nga Danimarka pas dënimeve të tyre. Ligjet daneze do të vlejnë për secilin të burgosur në qelitë e marra me qira”, raportoi televizioni i njohur britanik.

Sipas BBC-së, Kosova ka mes 700 e 800 hapësira të papërdorura në burgje dhe se gjithsej do të marrë 210 milionë euro gjatë dhjetë viteve të ardhshme për dhënien me qira të burgut në Gjilan, rreth 50 kilometra larg Prishtinës, nga viti 2023.

“Marrëveshja duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës me dy të tretat e votave. Ideja e eksportimit të të burgosurve nuk është e re në Evropë, pasi Norvegjia dhe Belgjika më parë kanë marrë qeli me qira në Holandë”, shkruan BBC.

Numri i të burgosurve në Danimarkë është rritur vjetëve të fundit, ndërsa numri i rojave është zvogëluar. Nga viti 2015, numri i të burgosurve në Danimarkë është rritur nga 3.400 në 4.200, ndërsa numri i rojave të burgjeve ka rënë nga 2.500 në 2.000.

(Kosova Sot Online)