Bideni e lavdëron për diçka, Trumpi befasohet

  • E.K /
  • 22 December 2021 - 11:09
Bideni e lavdëron për diçka, Trumpi befasohet

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tha se është shumë vlerësues dhe i befasuar që pasardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Joe Biden, i falënderoi atë dhe administratën e tij për suksesin rreth sigurimit të vaksinave kundër Covid-19 për publikun.

“Duke iu falënderuar administratës së kaluar dhe komunitetit tonë shkencor, Amerika është njëra nga vendet e para që e mori vaksinën. Duke e falënderuar administratën time, puna e madhe e amerikanëve, vaksinimi ynë, e bëri Amerikën në mesin e udhëheqësve botërorë për marrjen e dozave në krahë”, tha presidenti amerikan.

Në një intervistë për Fox News të martën në mbrëmje, ish-presidenti Trump e komentoi deklaratën e Bidenit. “E vlerësoj shumë këtë, jam i befasuar që po e dëgjoj. Mendoj se ishte gjë e mrekullueshme dhe mendoj se shumë njerëz i bën të lumtur”, tha miliarderi amerikan.

Ai më pas përsëri tha se është paksa i befasuar. “Mendoj se ai bëri diçka shumë të mirë. E dini, duhet të jetë një proces i shërimit në këtë vend dhe kjo do të ndihmojë shumë”, shtroi ish-presidenti amerikan.

Administrata e Trumpit e kishte krijuar bashkëpunimin publiko-privat “Operation Warp Speed”, për prodhimin e vaksinave kundër koronavirusit në fillim të pandemisë. Gjatë pushtetit të tij, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e kishte lëshuar autorizimin për përdorim urgjent të vaksinave të kompanive “Pfizer” dhe “Moderna”.

(Kosova Sot Online)