Haxhiu: Sa kriminelin e kemi jashtë, e që ishte dashur të ishin brenda

  • A.P /
  • 22 December 2021 - 19:37
Haxhiu: Sa kriminelin e kemi jashtë, e që ishte dashur të ishin brenda

Me përplasje dhe akuza është zhvilluar raportimi i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu në komisionin për legjislacion, lidhur me nënshkrimin e letër-qëllimit me shtetin e Danimarkës për qendrën korrektuese në Gjilan.

Ministrja Haxhiu tha se bashkëpunimi parashihet të zgjasë 10 vjet dhe mbështetja daneze do të jetë 15 milionë euro në vit, ku vetëm 5 milionë është kosto e të burgosurve, ndërsa pjesa tjetër për sfera të tjera në vend. Megjithëse partitë opozitare nuk theksuan se do të votojnë kundër kësaj marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend, të njëjtit vunë në mëdyshje qëllimin e saj.Paqartësi për këtë marrëveshje shprehu edhe deputeti tjetër opozitar, Hajdar Beqaj.

Ai kritikoi ekzekutivin se dëshiron të sjellë në Kosovë 300 kriminelë dhe me e paraqitë si zhvillim ekonomik.

“Unë nuk thash se jam kundër, as nuk thash se PDK-ja është kundër, kemi paqartësi dhe duam informata shtesë, është njeri i duhur që duhet të jap informata. Në mungesë të ndonjë marrëveshjeje të zhvillimit ekonomik po doni me shitë zhvillim ekonomik me na pru 300 kriminelë në Kosovë”, tha deputeti i PDK-së.

Atij i reagoi ministrja, e cila theksoi se ka shumë kriminelë që sipas saj kanë bërë milionat jashtëligjshëm edhe nuk janë në burg.

Derisa, siç tha ka të burgosur që nuk e kanë vendin aty, pasi janë të dënuar për pula dhe biçikleta.

“E more Hajdar sa kriminelin e kemi jashtë, e që ishte dashur të ishin brenda. Ndonjëherë me jepet përshtypje se ata që janë jashtë hiç nuk e kanë vendin aty. Për besë kur i shoh për pula dhe biçikleta, e tjerët që kanë bërë pasuri milionëshe (jashtëligjshëm) i ki jashtë. Hajdar e dina kush janë”, theksoi ajo.

(Kosova Sot Online)